TIRANE –Kristiandemokrati Mark Frroku dhe deputeti Tom Doshi, dikur miq të ngushtë, janë përballur në hyrje të Gjykatës së Lartë, ku kanë mbërritur mesditën e sotme, për të qenë të pranishëm në dy seanca të ndryshme plenare. Mësohet se Frroku dhe Doshi janë përshëndetur me njëri-tjetrin.

Përshëndetja mes tyre ka qënë e shkurtër:
Mark Frroku: Si je Tom Doshi?

Tom Doshi: Mirë jam, po ti Mark?

Mark Frroku dhe Tom Doshi janë përplasur me njëri-tjetrin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me çështjen e atentatit të pretenduar nga deputeti socialist. Doshi ka këmbëngulur se për komplotin për vrasje u informua nga deputeti Mark Frroku dhe se pikërisht ai e kishte prezantuar me Durim Bamin, njeriu që kishte marrë përsipër ekzekutimin e deputetit socialist dhe të demokratit Mhill Fufi.

Por, përkundër këtij deklarimi, Mark Frroku ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni për asnjë komplot të mundshëm për vrasje dhe se e ka të paqartë përse Tom Doshi e ka përfshirë emrin e tij në këtë histori. Ai ka mohuar gjithashtu t’i ketë prezantuar Doshit të dyshuarin për komplot, Durim Bami, i cili shfaqet në një video prej 37 minutash, duke rrëfyer emrat e porositësve të krimit, ndërmjetësve, dhe deri te detajet më të fundit të skenarit, që është duke u hetuar nëse është ose jo ashtu sikurse pretendon Tom Doshi.

Seanca e ballafaqimit mes dy miqve, sipas burimeve të prokurorisë, ka pasur momente tensioni, për shkak të këmbënguljes së secilit prej tyre në versionin e tij.
Deputeti Tom Doshi mbërriti sot në Gjykatën e Lartë për të vijuar betejën gjyqësore me Spartak Brahon, deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilin e ka paditur për shpifje. Në seancën e kaluar, i pyetur nëse do të pajtohej me z.Braho, Tom Doshi deklaroi se “nuk do të pajtohem me monstra”. Ndërsa pyetjes se përse ka kërkuar dëmshpërblim nga Spartak Braho vetëm 1 lekë, Doshi iu përgjigj “sepse është i varfër”.

Ndërkohë, kristiandemokrati Mark Frroku kërkon në Gjykatën e Lartë zëvendësim të masës së sigurisë. Ai po hetohet për akuzën e “vrasjes me paramendim, në bashkëpunim”, në dëm të Aleksandër Kurtit, në 1999-ën në Belgjikë. Për këtë ngjarje Frroku po gjykohet edhe në Belgjikë. Jashtë dyerve të gjykatës Frroku tha se arrestimi i tij është antiligjor, antikushtetues dhe politik, ndërsa deklaroi se mandatin e deputetit nuk e ka humbur.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: