TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha e cilëson Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor një foltore në Tiranë. Në një intervistë për News24, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ka një përçarje mes demokratëve, Basha tha se nuk ka një zgjedhje mes tij dhe Berishës sepse kreu i PD sapo është zgjedhur me një shumicë dërrmuese.

Ai tha se Kuvendi i PD është më 18 dhjetor. Basha deklaroi se nëse do të kthehej sërish pas, do të merrte të njëjtin vendim për ish-kryeministrin Sali Berisha, atë të pezullimit nga grupi parlamentar.

E megjithatë zoti Basha në këtë pikë e gjithë energjia opozitare duhet për pozicionin ndaj qeverisë duket se demokratët janë vënë përballë zgjedhjes me Bashën apo me Berishën. Sa  thellë është kjo përçarje deri tani dhe në ç’pikë po shkon?
Nuk ka një zgjedhje midis Bashës dhe Berishës sepse kryetari i Partisë Demokratike sapo është zgjedhur me një shumicë dërrmuese

11 dhjetori apo 18 dhjetori?
11 dhjetori siç ju thashë është një Foltore e thirrur në Tiranë ku janë thirrur të vijnë edhe ata që kanë qenë në Foltoret e tjera. Do të vijnë, s’do të vijnë është puna e tyre, është vullneti i tyre. Disa pre tyre janë anëtarë të Partisë Demokratike, disa prej tyre mund  të jenë edhe delegatë, disa prej tyre janë simpatizantë, disa prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

Shumë është thënë dhe është raportuar këto kohë se disa prej tyre janë kundërshtarë të Partisë Demokratike dhe u intereson një përçarje e Partisë Demokratike, por ky është një aktivitet i thirrur nga zoti Berisha dhe nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Partia Demokratike ka një Kuvend me 18 dhjetor dhe kushdo që është i interesuar për një debat të shëndoshë, për një dialog të vërtetë mes demokratëve dhe mbi të  gjitha për të vendosur së bashku rrugën për të  ardhmen e vendit, rrugën për të ardhmen jo vetëm të Partisë Demokratike, por të gjithë shqiptarëve, Kuvendi i Partisë Demokratike është me 18 dhjetor.

Megjithatë ka nga ata anëtarë po deputetë  të Partisë Demokratike siç është rasti i deputetit Tomor Alizoti i cili nuk preferon të shkojë në asnjë Kuvend, as në datën 18 dhe as në datën 11. Për këtë kategori a ka një mesazh nga ana juaj?
Angazhimi politik është angazhim, unë nuk dua të merrem me emra të përveçëm, por angazhimi nuk është vetëm privilegj. Në fakt jo vetëm në Shqipëri, por kudo angazhimi politik sjell mbi të gjitha sakrificë. Sigurisht nëse e shikon politikën si një mjet për t’i shërbyer njerëzve dhe jo për t’i shërbyer vetes. Kështu që, kushdo që futet apo merr një angazhim aktiv në politikë, duhet ta ketë të qartë se çdo ditë dhe çdo orë e jetës së tij apo të saj deri në fund të këtij angazhimi duhet të jetë në shërbim të njerëzve të cilëve iu ka kërkuar besimin dhe që presin prej atij apo prej asaj ta kthejë në një të mirë publike qoftë kjo në qeverisje apo në opozitë, sipas detyrave që secila palë ka në demokraci.

Duke parë pak në retrospektivë, duke parë se si erdhën dhe rrodhën këto ngjarje, nëse do të ishit vënë përsëri përballë zgjedhjes a do ta kishit marrë sërish vendimin e 9 shtatorit ndaj zotit Berisha?
Absolutisht po! Duhet t’ju kujtoj që ky vendim nuk erdhi papritur. Erdhi pas 3 muajsh, përpjekjesh diskutimesh, negociatash për të arritur në një zgjidhje që do të harmonizonte nga njëra anë interesin e Partisë Demokratike e cila u vendos në një pozitë të vështirë në raport me aleatin strategjik jo vetën të Shqipërisë, por edhe të Partisë Demokratike Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U vendos në atë pozitë sepse ne vetë kishim vendosur një standard. Në rastin e Vangjush Dakos, Tom Doshit jo vetëm që kemi kërkuar largimin e tyre por kemi argumentuar. Partia Demokratike, unë, vetë zoti Berisha që ata nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve, nuk duhet të kenë të drejtë të garojnë. Këto kanë qenë qëndrimet tona. Ndaj ka qenë një debat, një përpjekje pothuajse 3-mujore e cila pastaj ka rezultuar me një vendim që sigurisht mbi interesat personale të çdokujt.  Siç e kam thënë edhe sikur të isha unë i godituri nga vendimi ‘non grata’ i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të prevalojnë interesat e Partisë Demokratike, duhet të prevalojnë sakrificat dhe interesat e demokratëve dhe jo hallet dhe interesat personale të askujt, as të Sali Berishës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb