Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se procesi i votimit të 25 prillit me lista të hapura nuk pritet të sjellë përçarje brenda Partisë Socialiste.

Ajo tha se pas 25 prillit do të jetë zhvillime dhe do të vendoset një standard i ri për mënyrën si pozicionohen kandidatët, ndërsa shtoi se listat nuk janë bërë nga kryeministri, por nga drejtuesit politikë në qarqe.

“Kjo nuk është një garë maxhoritare, por proporcionale. Një garë që funksionon me një ekip. Duke marrë maksimumin si ekip, fusim më shumë përfaqësues në Parlament. Unë mendoj se do të sjellë zhvillime dhe do të vendosë një standard të ri për mënyrën si propozohen kandidatët për deputetë, mbështeten ata. Nuk e shoh si përçarje, sepse ky nuk është një proces ku vendos kryeministri. Është një proces kolegjial diskutimesh të pafundme se kush janë njerëzit që gëzojnë respekt në komunitetin e tyre, kanë më shumë ndikim. Janë drejtuesit e qarqeve që bëjnë propozimet e të gjithë përfaqësuesve të qarkut, që meritojnë të jenë në atë listë”, u shpreh ministrja.

Jeni e qetë për largimin nga Ministria e Mbrojtjes tek ajo e Jashtme?
Detyra e ministrit të Mbrojtjes i futet të gjithëve në lëkurë, sepse njihen me një punë të jashtëzakonshme të forcave tona ushtarake. Unë e desha shumë atë detyrë dhe e bëra më shumë dashuri punën time, pavarësisht se kur m’u besua ajo detyrë, kishte skepticizëm. Nuk ishte i lehtë t’i besohej ajo detyrë një vajze të re 37 vjeçe.

Procesi i integrimit është i bllokuar, ka një shpresë për hapjen e negociatave?
Sigurisht që ka shpresë reale. Ky është një proces teknik dhe meritokratik, siç thotë dhe vetë BE. Ata vetë kanë thënë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet, i ka bërë të gjitha detyrat dhe meriton që të vendosë datën për konferencën e parë ndërqeveritare. Çështja është se të gjithë ato vende skeptike, që për arsyet e tyre të brendshme, të cilat nuk janë objektive në kushtet e vlerësimit të përmbushjes apo jo të detyrave të Shqipërisë, nuk është se na dëmtojnë vetëm ne, por dëmtojnë edhe kredibilitetin e vendeve të BE. BE duhet të mbajë fjalën, topi është në fushën e tyre. Ka pasur një lobim, edhe prej nesh, edhe prej meje personalisht, që të ketë një strategji të re dhe BE ta shohë Ballkanin Perëndimor me një optikë strategjike, në kuptimin që Ballkani Perëndimor duhet të jetë një pikë strategjike e BE. Nëse BE nuk e sheh kështu, patjetër që influenca të tjera do të fillojnë dhe do të zënë vend. Kjo nuk është e mirë, se do të ofronin faktorë të tjerë, që shkojnë kundër aspiratave euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb