KOSOVE

Pas bërjes publike të përdhunimit të 16-vjeçares nga mësuesi dhe një polic, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka pritur sot në një takim ministrin e Brendshëm, Ekrem Mustafa.

Haradinaj kërkoi nga Mustafa ndërmarrjen e të gjitha veprimeve, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, të gjithë ata që kanë kryer vepër të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi.

Pëmes një postimi në ‘Facebook’, Haradinaj shkruan se Prokuroria dhe Gjykata duhet të dëshmojë fuqinë  e vet në zbatim të ligjit.

“Sot, kam pritur në takim pune Ministrin e Brendshëm Ekrem Mustafa, Ministrin e Arsimit, Shyqeri Bytyqi, Drejtorin e përgjithshëm të Policisë Rashit Qalaj, Kryeshefen e Inspektoratit Policor Miradie Kelmendi dhe Kryeinspektorin e Arsimit Defrim Gashi, nga të cilët kërkova që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, të gjithë ata që kanë kryer vepër të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi.

Institucionet e vendit, Prokuroria dhe Gjykata, duhet të dëshmojnë fuqinë e vet në zbatim të ligjit. Rasti i abuzimit seksual të të miturës nga Drenasi, duhet të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm nga të gjitha institucionet e vendit. Njëkohësisht, kërkoj nga të gjitha mekanizmat institucional dhe shoqëror, që të bashkërendojnë politikat dhe aktivitetet, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla në të ardhmen”, shkruan Haradinaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb