(foto ilustruese) DURRES – Prindërit e vajzës 5­vjeçare, e cila u përdhunua nga komshiu i saj 14 vjeç pak ditë më parë (3 shtator), do ta kishin mbajtur të fshehur ngjarjen, por ka qenë mjeku ai që ka këmbëngulur për të vënë në dijeni policinë. Pas ekzaminimeve të kryera, vajza 5­vjeçare rezultoi e defloruar dhe në këto kushte, mjeku e pa të udhës të vinte në dijeni strukturat përgjegjëse. Vogëlushja 5­vjeçare u përdhunua nga fqinji 14­-vjeçar, kur ajo doli e vetme për të luajtur në rrugën e lagjes. Ngjarje shokuese ka ndodhur në qytetin e Durrësit mesditën e 3 shtatorit. V.X., babai i vajzës me iniciale A.X, me të cilën u abuzua seksualisht nga komshiu, njëkohësisht i afërmi i saj, gjatë një interviste për gazetën “Panorama” pranoi se nuk kishte ndërmend të denonconte rastin, por, sipas tij, ka qenë mjeku ai që, pas ekzaminimeve, vuri në dijeni strukturat përgjegjëse.

Si e morët vesh ngjarjen?
Unë ndodhesha te një i njohuri im, i cili kishte disa orendi për të ngarkuar në një triçikël dhe për t’i transportuar diku. U nisa nga mesdita nga shtëpia dhe u ktheva rreth orës 5­6 e pasdites. Kur erdha në shtëpi, vajza dhe nusja po qanin. I pyeta çfarë kishte ndodhur dhe vajza m’i tregoi të gjitha.
Si reaguat? U drejtuat menjëherë në polici, spital, apo te familja e 14-­vjeçarit?
Të them të drejtën, për shkak se i kemi komshinj, mendova të takoja të atin e tij dhe t’i tregoja se çfarë kishte ndodhur dhe si mund të vepronim bashkërisht. Pastaj iu drejtova spitalit për të kryer kontroll mjekësor të vajzës.

Si reagoi babai i 14­ vjeçarit kur i rrëfyet ngjarjen?
Nuk arrinte ta besonte fillimisht dhe më tha se do ta zgjidhte ai këtë punë, duke shtrënguar të birin. Por që atë ditë, ai nuk ka ardhur të më pyesë as si është vajza. Unë desha të mos e denoncoja si rast, nuk desha të bëhej e madhe.

Si ndodhi më pas?
Pasi dërgova në spital vajzën, mjeku tha se duhej denoncuar rasti, pasi vajza rezulton e përdhunuar. Madje, denoncimin e ka bërë mjeku.

Pse nuk deshët të bëhej e madhe?
Personi për të cilin flasim është fis i yni. Mendova se ajo që ndodhi nuk zhbëhej më, prandaj thashë të mos e bëjmë shumë të madhe. Sigurisht ai ka kryer një vepër shumë të rëndë, pasi vajza mund të ketë probleme psikologjike në të ardhmen. Prindërit e tij as nuk kanë marrë mundimin për të pyetur të paktën si është vajza. Për shkak se janë të afërmit tanë, vajza ka rendur pas tij.

Aq sa mund të tregoni. Si kishte ndodhur? Pra si e kishte tërhequr drejt vendit vajzën?
Unë nuk isha në shtëpi, bashkëshortja ime po gatuante. Dy djemtë nuk ndodheshin gjithashtu, sepse kishin dalë për të luajtur me bashkëmoshatarët e tyre në lagjen përbri. Vajza kishte dalë te rruga ku luan gjithmonë dhe aty kishte rastisur edhe ai. E kishte gënjyer vajzën, hajde të tregoj diçka dhe pasi e kishte futur në një nga ato baraket aty pranë, bëri atë që bëri.

14-­vjeçari banon këtu afër me shtëpi, apo jo?
Po. Ai banon te kjo shtëpia ngjitur. Ai është 14 vjeç, por po ta shikosh të jep përshtypjen e një djali më të madh në moshë, për shkak të trupit. Është fëmijë shumë rrëmujaxhi, fëmijë i prapë. Hak e ka të qëndrojë në burg.

Po vajza si ndihet?
Mjeku ka lëshuar recetën për të blerë ilaçet, por për shkak se nuk kemi mundësi financiare, nuk i kemi blerë. Vetëm në farmaci kemi 300 mijë lekë borxh, nuk na japin më pa lekë. Por, fatmirësisht, vajza është mirë nga ana shëndetësore dhe mendore. Shpresojmë ta kalojmë së bashku këtë tragjedi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: