FIER – Abuzimi seksual që 46-vjeçari Thoma Çala nga Sheqishta e Fierit ka kryer ndaj mbesës së tij kur ajo ende nuk kishte mbushur 14 vjeçe, është zbuluar nga i fejuari i saj. Gjykata e Fierit ka caktuar dje masën e sigurisë arrest në burg pa afat ndaj xhaxhait, i cili akuzohet për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur. Gazeta “Panorama” shkruan se prokurori i çështjes, Petrit Vukaj, pasi i ka parashtruar gjykatës të gjitha provat e siguruara gjatë hetimit paraprak, i ka kërkuar vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të Çalës dhe caktimin e masës arrest në burg ndaj tij.

Nga burime të Gjykatës është mësuar se gjatë seancës së caktimit të masës së sigurisë, Prokuroria ka paraqitur si provë dëshminë e të resë, e cila ka pretenduar se është përdhunuar nga xhaxhai i saj Thoma Çala, në prill të vitit 2010, kur ajo ende nuk kishte mbushur 14 vjeçe. Mësohet se denoncuesja ka theksuar se 46¬vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë dhe e ka kërcënuar që të mos i tregonte njeriu se pastaj do t’i dilte nam i keq. Ajo ka shpjeguar se në atë kohë, xhaxhai jetonte i vetëm, pasi bashkëshorten dhe fëmijët i kishte në emigrim, në Greqi. Për më shumë se një vit ai ka qenë i vetëm në shtëpi, ambientet e së cilës janë kthyer në vendin ku ai abuzonte seksualisht me mbesën e tij të mitur në atë kohë. Ndërkohë, ai ka vazhduar të kryejë marrëdhënie seksuale me vajzën e të vëllait deri në fund të vitit 2013, kohë në të cilën ajo është fejuar.

Rreth dy javë më parë, 19-vjeçarja K. Çala kishte pranuar që të kryente marrëdhënie intime me të fejuarin e saj, ky i fundit ka zbuluar se e reja kishte pasur marrëdhënie të mëparshme seksuale, ndryshe nga sa i kishte thënë. E ndodhur në këto kushte, 19-vjeçarja është rrëfyer para të fejuarit të saj duke i treguar abuzimin që kishte kryer xhaxhai i saj. Më pas, në prani të të fejuarit, ajo u ka treguar edhe prindërve. Në këto kushte i fejuari i 19-vjeçares është ndarë prej saj, ndërsa kjo e fundit, së bashku me prindërit, ka vendosur të kryejë kallëzim penal ndaj xhaxhait. Thoma Çala nuk e ka pranuar që të ketë abuzuar me mbesën e tij, duke thënë se gjithçka ishte e sajuar, me qëllim rrënimin e tij si person. Pasi Gjykata ka shqyrtuar provat e paraqitura nga organi i akuzës dhe pretendimet e të arrestuarit, ka vendosur të lërë në burg pa afat Thoma Çalën.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: