Pak ditë më parë bëri bujë deklarata e kryeministrit Edi Rama gjatë takimit elektoral në Sarandë, ku i kërkoi kandidatit të pavarur Gjergj Mërkuri, i cili dikur pjesë e PS në këtë qytet dhe sot kandidon si kandidat i pavarur, të tërhiqej nga gara pasi do dëmtonte socialistët.

Mërkuri u përgjigj vetëm një ditë më votë duke “refuzuar kërkesën” e kryeministrit dhe duke u shprehur se në Sarandë do të vendosin qytetarët, jo partitë.

Zoti Mërkuri i është drejtuar sot qytetarëve me një letër të hapur, ku ka deklaruar se është bërë gjithçka është e mundur që të pamundësohet regjistrimi i tij dhe të baltosin figurën e tij, ndërkohë që u ka bërë atyre thirrje që të mos dorëzohen përballë kërcënimeve.

Letra e plotë:

Të dashur bashkëqytetarë, rrugëtimit tonë spektakolar të fushatës elektorale i erdhi fundi. E shtuna do të jetë dita e heshtjes zgjedhore, ku qytetarët do të reflektojnë mbi zgjedhjen e tyre dhe të dielën do t’i drejtohen kutive të votimit. Në këtë mesazh të fundit përpara 14 majit dua t’ju drejtohem me dorën në zemër dhe sinqeritetin më të madh. Rrugëtimi ynë ishte shumë i vështirë, por ne arritëm t’ia dalim dhe të dëshmojmë se kauzën e drejt dhe vullnetin e hekurt nuk e mposht dot asnjë makinacion politik.

Ata përdorën të gjitha artileritë e tyre për të bërë të pamundur regjistrimin tonë, duke filluar nga presioni i firmëtarëve dhe deri te tentativat dezinformuese të baltosjes së imazhit tim.
Humbën kudo, u turpëruan përpara jush, por treguan fytyrën e tyre të vërtetë. Na akuzuan për falsifikime firmash,

Por ikën me bishtin ndër shalë në gjykatë. Tentuan t’u bënin presion mbështetësve të kauzës sonë, por mësuan se qytetarëve të këtij qyteti nuk ia ulin dot kokën. Saranda ka njerëz të qetë, të dashur, të drejtë, por aspak frikacakë apo të pamoralshëm. Saranda ka një popullsi të civilizuar që nuk e mashtron dot. Sarandiotët janë inteligjentë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjshmërie dhe qytetarie.

Por mësimin e vërtetë të gjitha forcat politike do ta marrin në 14 maj. Tashmë është momenti për betejën finale dhe ne duhet të bëjmë sforcon e fundit.

Apeli im në këtë komunikim të fundit të dashur qytetarë është të dilni masivisht në votime, të votoni për dinjitetin e Sarandës.

Vota për mua, për numrin 4, është një votë për Sarandën. Me mua në krye bashkia do të jetë e juaja, aty nuk do të gjeni marionetën e komanduar nga partitë, por do të gjeni mikun tuaj.
Jemi rritur së bashku në rrugët e këtij qyteti, kemi gëzuar dhe i kemi qëndruar në krahë njëri tjetrit në momentet më të vështira. Tani është koha të bëhemi sërish të gjithë bashkë, të gjitha komunitetet e nderuara që jetojnë në harmoni dhe dashuri në këtë qytet.

Të bëhemi bashkë për veten tonë, për dinjitetin tonë, për fëmijët e të parët tanë. T’i tregojmë të gjithëve se ne mbështesim një kauz të drejtë, një kauz që e besojmë me gjithë zemër. Do t’i tregojmë të gjithëve se në Sarandë “VENDOSIN QYTETARËT, JO PARTITË”.

Të gjithë bashkë me kokën lart në 14 maj t’u drejtohemi kutive të votimit. Të votojmë masivisht numrin 4, për një të ardhme më të mirë dhe për një qytet që do të udhëhiqet nga ju. Bashkia do të jetë e juaja.
Përbuzini kërcënimet e tyre, vota është e fshehtë. Përpara fletës së votimit mendoni dinjitetin tuaj, fëmijën tuaj që doni të rrisni në këtë vend. Partitë politike nuk meritojnë më asnjë shans, drejtimi i tyre lokal vetëm dëm i ka bërë qytetit. Sarandën nuk mund t’ia japim partive politike ta përdorin si plaçkë për ta grabitur, Sarandën do ta menaxhojmë vetë me dashurinë që kemi për të. Vetëm ne si qytetarë nuk mund ta dëmtojmë qytetin, të gjithë të tjerët atë kanë në plan të bëjnë.

Ndaj me guxim dhe dinjitet ju ftoj të votoni masivisht për SARANDËN, PËR NUMRIN 4.
Ju përulem të gjithëve për qindra mesazhet e ardhura në adresën time, ju përqafoj fort.
DHE MOS E HARRONI KURRË, NË KËTO ZGJDHJE NË SARANDË: “VENDOSIN QYTETARËT, JO PARTITË”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb