TIRANË

Koordinatori politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Vorë, Vojo Bregu ka reaguar përmes një postimi në facebook, lidhur me përdorimin e të dhënave të qytetarëve.

Bregu shkruan se ky vëzhgim masiv krijon tre probleme kryesore me demokracinë dhe marrëdhënien që një shoqëri do të ruajë me shtetin e saj duke listuar kontrollin, patronazhimin dhe abuzimin me institucionin.

“Kjo ngjarje meriton një hetim serioz dhe profesional, i cili fatkeqësisht për momentin është bërë i pamundur nga kapja e shtetit rilindas. LSI siguron të gjithë qytetarët që kjo marrëzi e autokratit të dështuar të Ballkanit do të marrë fund pas 25 Prillit, dhe shteti do rikthehet në shina të normalitetit kushtetues.”- shkruan ai.

Postimi i plotë: 

Sistemi i kontrollit, sistemi i patronazhit dhe institucioni.
Në bazën e të dhënave (database) të siguruar nga Lapsi.al, e cila funksiononte për shërbim të brendshëm në Partinë Socialiste, pamë se si dokumentoheshin të dhënat personale për çdo votues në qarkun e Tiranës. Në çdo vend normal, ky vëzhgim masiv krijon tre probleme kryesore me demokracinë dhe marrëdhënien që një shoqëri do të ruajë me shtetin e saj.
1 – Kontrolli.
Askush nuk mund të thotë se nga i mori Partia Socialiste të dhënat mbi votën individuale në 2013-ën ose 2017-ën. Nga qendrat e votimit apo nga rrjeti informativ partiak i “patronazhistëve”?
Një kategorizim i tillë i njerëzve që kanë votuar të paktën një herë minon seriozisht besimin e qytetarit tek fshehtësia e votës apo liria e mendimit. Për më tepër, duke qenë se partia-shtet ka në dorë gjithë institucionet ky fakt krijon dyshime serioze mbi presionin mbi administratën dhe deformimin e votës.
2 – Patronazhimi.
Është hera e dytë që e hasim këtë fjalë. Më parë e kemi lexuar tek një memo e brendshme e PS-së, e rrjedhur në media, e cila me pafytyrësi kërkonte shkrirjen e LSI-së. Nuk e dimë çfarë nënkuptonte Rama me këtë shkrirje, agresionin institucional apo dëshirën e tij perverse për pushtet vetjak?
Këta të ashtuquajtur patronazhistë, në kushtet ku jetojmë, nuk kane kurrfarë funksioni politik perveçse presionin e jashtëligjshëm ose blerjen e votuesve të partive të tjera me favore që burojnë drejtpërdrejt nga pushteti.
Në një shoqëri normale, një figurë e tillë e sekserit politik do ngrinte shumë pikëpyetje.
3 – Abuzimi me institucionin.
Nga Lapsi.al por edhe nga eksponentë të PD-së u hodh ideja se të dhënat ishin marrë nga portali E-Albania. Kjo do ishte një shkelje e rëndë e neneve 121 dhe 122 mbi privatësinë, si dhe përdorim grotesk i një portali të propaganduar si histori suksesi, për të mbledhur vota.
Jemi ballafaquar me histori të tilla nga bota ku publiku vëzhgohet me pretekstin e luftës ndaj terrorizmit dhe kriminalitetit. Nga aktivistë si Snowden është argumentuar se liritë personale po dhunohen në emër të sigurisë kombëtare dhe kontrolli shtetëror po bëhet total.
Mirëpo përdorimi i të dhënave personale në funksion të partisë tejkalon çdo imagjinatë apo arsyetim juridik. Është treguesi i radhës mbi karakterin qesharak të Rilindjes si Parti-Shtet.

Kjo ngjarje meriton një hetim serioz dhe profesional, i cili fatkeqësisht për momentin është bërë i pamundur nga kapja e shtetit rilindas. LSI siguron të gjithë qytetarët që kjo marrëzi e autokratit të dështuar të Ballkanit do të marrë fund pas 25 Prillit, dhe shteti do rikthehet në shina të normalitetit kushtetues.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb