Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko paralajmëroi sot se një luftë bërthamore po “shfaqet në horizont” për shkak të mbështetjes së NATO-s për Kievin, teksa këmbënguli se Rusia do të përdorë armët bërthamore nëse i frikësohet humbjes në Ukrainë.

Lukashenko, një aleat i vendosur i presidentit rus Vladimir Putin , pretendoi se Perëndimi po planifikon të pushtojë Bjellorusinë për ta ‘shkatërruar atë’, ndërsa shtoi se vendimi i Perëndimit për të dërguar tanke, raketa dhe artileri në Ukrainë nënkupton se bota është më afër se kurrë një apokalipsi bërthamor.

“Si rezultat i përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe satelitëve të saj, një luftë në shkallë të gjerë është nisur në Ukrainë”, tha Lukashenko në një fjalim televiziv. “Një luftë e tretë botërore me zjarre bërthamore duket në horizont”, tha ai në deklaratën rrëqethëse.

Lukashenko, i cili e lejoi Putinin të përdorte vendin e tij si një pikënisje për pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës një vit më parë, këmbënguli se planet e Rusisë për të vendosur armë taktike bërthamore në Bjellorusi nuk janë shantazh, por një shans për të ‘mbrojtur’ kombin e tij kundër “kërcënimeve” të Perëndimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb