Nga Monika Stafa

Nëse deri pak vite më parë në sallonet perëndimore nuk pat filluar të ndjehet alarmi i stuhisë, tani ka ardhur pikërisht koha për ta dhënë atë me forcë. Mosbesueshmëria e medias i mbledhur kapicë, skepticizmi për etikën e gazetarëve dhe mëria ndaj pushtetit të medias janë bërë thuajse karakteristika të përhershme të skenës mediatike bashkëkohore. Teksa nuk mund të thuhet se përgjegjësja e vetme për këtë gjendje është media vetë, gazetarët dhe ata që drejtojnë media janë tejet të vonuar në përpjekjet për të shprehur qartë parimet e lojës së tyre, të paktën aq qartë sa të jenë të dukshme publikisht, të mbrojtshme etikisht dhe të mbështetura në atë traditë filozofike që vazhdon të justifikojë të qenurit, një shtyp i lirë. T’i mbrosh këto parime për këdo që ka rritur veten profesionalisht duke i besuar ato, është më e vështirë.

Kjo sepse do duhet të ndeshesh me cinizmin e thellë, se një sipërmarrje e tillë idealiste përfundon gjithmonë me llomotitje të përgjithshme, ose me ndonjë sulm keqdashës, i cili në rastin më të mirë nuk do të zgjaste më shumë se tri ditë në ‘skenën’ tonë mediatike. Po çfarë ka ndodhur realisht në një medium të tillë këto vitet e fundit? Përse ra miti i një media pluraliste në Shqipëri dhe përse gazetaria me përkushtim nuk nxitet aq sa duhet nga bordet drejtuese, së pari profesionalisht dhe së dyti për të shkuar drejt standardeve europiane që kërkohen? Përse vërehet një ndryshim i rëndësishëm në statusin e etikës së gazetarisë së sotme? Dhe përse ajo sot konsiderohet si një temë ornamentale, e përshtatshme të studiohet më vete vetëm në universitete? Përse studimi më i fundit për median shqiptare flet për një terren aspak vlerash në etikë, por edhe në besueshmëri, si dy pika kyçe të saj në rolin që duhet të lozë në një vend si Shqipëria e që aspiron të hyjë në BE?

Një gjë është krejt e sigurt: pas studimit më të fundit të BIRN publikuar vetëm dy ditë më parë, më së shumti në mediat ‘online’, Shqipëria do të vazhdojë të humbasë për një vit e më shumë vende në renditjen e përgjithshme të shteteve sa i përket lirisë së medias. Rasti i këtij studimi dhe i peizazhit mediatik shtrirë në ekranet tona do të jetë tashmë e tutje një refren i pashmangshëm në konferenca ndërkombëtare kushtuar lirisë së medias në Shqipëri, një ilustrim i preferuar i oratorëve të gjithfarshëm për ligjëratat e tyre. Do të duhet shumë mund e kohë që ky rast të dalë prej relacioneve të raporterëve europianë e ndërkombëtarë, të cilët marrin shënim çdo ditë e orë duke ndjekur me shqetësim se si rrjedhin raportet media – politikë e media – qytetar në Shqipëri.

Shqipëria, vendi që vetëm dy dekada më parë pati hartuar ligjin më të shkurtër në botë për shtypin, me një nen të vetëm, “shtypi është i lirë”, e shpërfaqi gjendjen e lirisë dhe parimeve themelore të Kodit të Etikës në formën më skandaloze dhe njëherësh më anekdotike të mundshme. Dhe nëse ligjet janë ato të cilat presupozohen se janë ‘cenuar’ me dashje, kompromentimin afatgjatë të situatës në median shqiptare do ta vuajë emri i Shqipërisë. Kjo është ajo që dihet e nuk dyshohet aspak. Se çfarë është për t’u dyshuar e për të vrarë mendjen, u pa në një formë të dëshpëruar nga mënyra se si vetë gazetarët e diskutuan këtë çështje, apo në ishin të lirë ta publikonin atë para kamerave dhe mikrofonave.

Cilat janë standardet e kërkuara?
Këshilli i Evropës me qendër në Strasburg, më datën 7 të këtij muaji ka nxjerrë udhëzime për 47 vendet anëtare, me qëllimin t’i ndihmojë ato në nxitjen e pluralizmit dhe të transparencës në pronësinë e medias. Në një rekomandim https://search.coe.int/, miratuar ditë më parë, Komiteti i Ministrave nënvizonte se përparimet në teknologjinë moderne kanë pasur një ndikim të thellë në funksionimin e sektorit të medias dhe në pluralizmin e saj. Po për të përballur këtë sfidë, në rekomandim sugjerohet një kornizë gjithëpërfshirëse e udhëzimeve për krijimin e një mjedisi mediatik pluralist, transparent dhe me një rol kyç pjesëmarrës. Rekomandimi parashtron kushtet e domosdoshme për t’u përmbushur, me qëllim intensifikimin e pluralizmit në media. Aty shtetet inkurajohen të përgatisin strategji për rritjen e qëndrueshmërisë së mediave të ndryshme duke filluar nga transmetuesi publik, ato kombëtare, lokale dhe ndërkufitare. Në rekomandim gjithashtu shtetet inkurajohen të mbështesin gazetarinë cilësore, të pavarur dhe hulumtuese, duke respektuar plotësisht pavarësinë editoriale dhe operacionale të medias. Ndër të tjera, aty jepen udhëzime të cilat ndihmojnë se si mund të arrihet audienca në përmbajtje të ndryshme brenda një numri jo të paktë platformash, që ka filluar në fakt të sjellë pak çoroditje në tregun mediatik shqiptar. Udhëzimet asistojnë bordet drejtuese në media për të shkuar tek një audiencë më e gjerë përmes edukimit në media (Media Literacy). Veç kësaj, rekomandimi inkurajonte shtetet që të zhvillojnë korniza rregullatore për të promovuar me përpikmëri transparencën e pronësisë së medias.

Ku jemi?
Afro tri dekada pas përmbysjes së sistemit politik dhe vënies së të drejtave të qytetarëve në themelin e jetës së shoqërisë, edhe kur ndodh një ngjarje që skandalizon rajonin e kontinentin, s’ka asgjë për t’u marrë seriozisht. Vetë media është kthyer në një shaka të madhe, në një grotesk të papërshkruar. Kjo nuk ka ndodhur në një ditë. Kjo ndodhi pak nga pak e ditë për ditë, qysh se gazetarët më të zellshëm të shtypit bolshevik u bënë befas themelues dhe editorë të shtypit kundërshtar dhe gazetaria e “epokës së re” doli prej zejes së gazetarisë komuniste. Liria që aq shumë e kërkuam u mbeti të gjithëve në dorë. Liria e shtypit filloi, por besimi tek shtypi/media u trondit. Mbi të gjitha, shtypi/media humbi aleatin e vet të natyrshëm, qytetarin.

Pak fusha profesionale kanë pjesëmarrës aksionerë aq të shumtë apo aq të zhurmshëm sa gazetaria, për vetë faktin se gabimet e saj etike apo të natyrave të ndryshme janë vazhdimisht, çdo çast të hapura për publikun. Nëse puna e përditshme e gazetarëve ka potencialisht vlerë morale pozitive, atëherë iu takon eticienëve të shqyrtojnë mundësitë se si t’i vendosin dhe ngrenë më lart standardet e përsosmërisë. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb