Rusia mund të ulë prodhimin e naftës dhe do të refuzojë t’ia shesë çdo vendi që vendos kufirin e çmimit të Perëndimit për naftën ruse, ka thënë presidenti rus Vladimir Putin.

G7 dhe Australia ranë dakord javën e kaluar për një kufi të çmimit prej 60 dollarësh për fuçi për naftën bruto ruse në det, pasi anëtarët e Bashkimit Evropian mposhtën rezistencën nga Polonia.

“Sa i përket reagimit tonë, unë kam thënë tashmë se ne thjesht nuk do t’u shesim atyre vendeve që marrin vendime të tilla,” tha Putin në Bishkek, ndërsa shtoi se “do të mendojmë, ndoshta edhe për mundësinë e reduktimit të prodhimit”.

Putin tha se Rusia kishte një marrëveshje me OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) për prodhimin, kështu që një hap i tillë drastik ishte ende vetëm një mundësi.  “Ne po mendojmë për këtë, nuk ka ende zgjidhje. Hapat konkretë do të përshkruhen në dekretin e presidentit të Rusisë, i cili do të publikohet në ditët në vijim,” tha ai.

Putin shtoi më tej se Moska nuk do të humbasë nga kufiri i çmimeve të Perëndimit dhe se financat e qeverisë do të qëndrojnë në vijë, ndërsa nuk ngurroi ta cilësonte këtë vendim të Perëndimit si “idiot”, ndërsa shtoi se çmimet e energjisë do të “rriten në qiell” për ata që vendosën kufijtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: