TIRANË

Përfaqësues të ambasadës ruse në Tiranë kanë mbërritur këtë mesditë tek Instituti i Mjekësisë Ligjore, për të marrë të dhëna mbi vdekjen e mistershme të katër turistëve rusë, mbrëmjen e të premtes, në një hotel në Qerret të Kavajës.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala, e cila thekson se diplomati rus nuk ka pranuar të komentojë për media, por është futur direkt në ambientet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku po qëndron prej disa minutash.

Gazetarja Lala raporton se nga të dhënat e para nga Mjekësia Ligjore dyshohet se shkak për vdekjen e turistëve është bërë asfiksia, ndonëse nuk dihet ende se nga se ka ardhur ajo. Janë disa pista hetimi deri më tani mbi tragjedinë e katërfishtë, ku së pari është përdorimi i tepruar i klorit në pishinën ku u gjetën viktimat, por edhe mosventilimi i mjaftueshëm i ambientit, ndërsa nuk përjashtohet edhe helmimi.

Dosja e ngjarjes po shihet me shumë kujdes nga ekspertët, për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë gjetur vdekjen të katër turistët, çifti Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, dhëndri i tyre, Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe vajza e tyre, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.

Nga ana e tyre, ekspertët e Mjekësisë Ligjore janë shprehur se kanë pasur viktima nga klori edhe më herët, por jo katër raste njëherësh. Për këtë arsye, Prokuroria e ka regjistruar ngjarjen si vrasje e mundshme, por pa pasur një autor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb