NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri Jens Reinke paralajmëron se së shpejti administrata tatimore do të përballet me një riorganizim. Në një intervistë ekskluzive në emisionin “Të bësh ekonomi”, përfaqësuesi i FMN-së flet për situatën ekonomike dhe treguesit fiskalë të gjashtëmujorit të parë 2016.

Reinke është optimist dhe shprehet se aktiviteti ekonomik po rigjallërohet dhe se realizimi i të ardhurave është sipas planit. Nga ana tjetër ai tregohet kritik kur thotë se ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar në mbledhjen e të ardhurave dhe se administrata tatimore ka nevojë për reforma të tjera

Përsa i përket sfidave të qeverisë, Reinke thotë se duhet më shumë kontroll për parandalimin e detyrimeve të prapambetura. Gjithsesi sfida kryesore mbetet reduktimi i informalitetit.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti të ardhurat në buxhet sipas ministrisë së Financave duken më mirë sesa fundviti i kaluar apo e njëjta periudhë e 2015, po për FMN si rezultojnë?

Së pari të ardhurat janë sipas planit dhe gjërat po shkojnë mirë. Ka disa faktorë që ndikojnë këtu dhe më kryesori aktiviteti ekonomik që ka filluar të rigjallërohet dhe së dyti zbatimi i taksave është përmirësuar. Që kur ka filluar fushata e luftës kundër informalitetit ka çuar në një efekt pozitiv në përmbushjen e detyrimeve tatimore. Ka pasur ndikim edhe parashikimi në mbledhjen e të ardhurave pasi ka qenë një parashikim më realist.

Pra po thoni se faktori kryesor ka qenë parashikimi realist i të ardhurave në buxhet?
Të gjithë faktorët ndikojnë. Dua të nënvizoj disa faktorë pozitivë që kanë ardhë nga fushata kundër informalitetit në disa kategori të caktuara e cila ka sjellë më shumë të ardhura, apo në  zbatim më të mirë të ligjit tatimor. Por sigurisht ka shumë hapësirë për tu përmirësuar. Gjithashtu rritja ekonomike ka ndikuar në të ardhura më të larta. Politika fiskale ka ndihmuar gjithashtu në sensin që nuk ka patur rritje të taksave gjatë këtij vitit dhe parashikimet për 2016-ën janë bërë më realiste.

Në misionin e fundit FMN i sugjeroi qeverisë një ristrukturim më të mirë të drejtorisë së përgjithshme të tatimeve, çfarë duhet bërë me administratën?
Administrata tatimore ka nevojë për reforma të tjera në shumë drejtime,. Struktura e DPT është një shtyllë kryesore në marrëveshjen që ne kemi me qeverinë  dhe ne presim që struktura e re e administratës tatimore të miratohet së shpejti. Pas miratimit formal nga ana e qeverisë do të duhet edhe një farë kohe përpara se të zbatohet në praktikë dhe të sjellë rezultatet e veta.

Cilat janë risitë e këtij ristrukturimi?
Struktura bazohet në praktikat më të mira botërore dhe është këshilluar nga ekspertët tanë që i japin asistencën teknike administratës tatimore. Ka qenë produkti i një procesi ta gjatë konsultimi mes ekspertëve tanë, ministrisë së financave dhe administratës tatimore se ku duhen vendosur burimet njerëzore si duhen organizuar ato në mënyrë që të merren rezultate më të mira. Synimi kryesor është vendosja e burimeve njerëzore aty ku mund të ndihmohet më shumë procesi i mbledhjes së taksave.

Pra struktura e re bazohet vetëm në ndryshimet e burimeve njerëzore apo edhe në risitë teknologjike në tatime?
Struktura është organigrama e organizatës. Burimet njerëzore që bëjnë punë të ndryshme që kryejnë punë të ndryshme që nga zyrat në terren e deri në majë të administratës, sigurisht që sistemi i ri i IT ka lehtësuar shumë procese. Një nga detyrat e reja të strukturës së re është të evitohen dublikimet me zyrat rajonale. Shumë nga funksionet do të centralizohen falë sistemit të ri të IT. Pra synohet të rritet eficenca dhe burimet njerëzore të orientohen aty ku ka më tepër nevojë për grumbullimin e të ardhurave.

Ku ka më shumë nevojë sipas jush?
Kjo do të jetë më e qartë kur të miratohet struktura e re. Nuk bëhet fjalë për të shkurtuar paratë por për të organizuar më mirë punën e administratës tatimore. Një tjetër përfitim është lejimi i specializimit të funksioneve. Nuk është e nevojshme që çdo zyrë rajonale të jetë e specializuar për çdo gjë por mund të krijohen ekipe të specializuara për tema të caktuara që të mbulojnë gjithë vendin apo zona të caktuara.

Po për sa u përket zërave të të ardhura ku duhet të fokusohet ministria e financave dhe administrata tatimore për të rritur më shumë të ardhurat?
Grumbullimi i të gjitha taksave duhet përforcuar dhe duhet të ketë një pagim në kohë të detyrimeve tatimore. Kjo vlen për të gjitha dhe duhet të evitohet nën ose mos deklarimi I transaksioneve. Përsa i përket tatimit mbi pronën, nuk është vetëm një çështje se sa burime njerëzore merren me këtë taksë por kjo ka të bëjë me një reformë se si organizohet mbledhja e kësaj takse. Ne shpresojmë se diskutimi në këtë drejtim do të vazhdojë dhe do të japim asistencën e nevojshme në këtë drejtim.

Po në lidhje me punën e doganave çfarë mendoni, si ka performuar administrata në mbledhjen e akcizës krahasuar me vitin e kaluar ku u fol shumë për kontrabandë?
Ne nuk kemi vlerësime për kontrabandën. Performanca e të ardhurave ka qenë e mirë dhe nuk do të doja të spekuloja për të folur për kontrabandë apo shmangie të detyrimeve.

Si e komentoni mosrealizimin e akcizës nga kafeja gjatë gjysmës së parë të vitit, në një kohë kur nuk është ulur përdorimi i kafesë nga shqiptarët?
Unë nuk e kam ndjekur grumbullimin e taksave në mënyrë kaq të detajuar, por nëse ju dini ndonjë gjë më shumë për kontrabandë kafeje mund të na i thoni. Mund të them që në përgjithësi ka ende vend për përmirësim të mëtejshëm në grumbullimin e të ardhurave nga akciza.

Ka ndonjë diferencë në punën e doganave pas largimit të konsulentes Croën Agents, e cila dha një kontribut në uljen e kontrabandës?
Për sa kohë ishin këtu unë kam diskutuar shpesh me përfaqësuesit e CA dhe ajo që kam kuptuar ishte se  prezenca e tyre në terren  ishte shumë e vogël  për të qenë kaq domethënëse në të ardhurat. Ato kishin detyra të ndryshme, për të trajnuar, përmirësuar mënyrat e menaxhimit apo edhe disa zbulime të praktikave të kontrabandës por në vetvete ky operacion nuk ishte kaq i madh që të kishte impakt kaq të madh në luftën kundër kontrabandës.

Kjo po thuhet tani, por qeveria bëri me CA nje marrëveshje të kripur që i kushtoi jo pak buxhetit të shtetit?
Tashmë kjo është një histori që ka përfunduar, por ajo që mund të them është se ja ka vlejtur ekspertiza që solli sidomos ne zbulimet e kontrabandës. Por operacionin që ata kishin në Shqipëri ishte i vogël krahasuar me madhësinë e ekonomisë tuaj, si një ekonomi e hapur me shumë pika kufitare dhe volum të import-eksporteve.

Çfarë i rekomandoni qeverisë për moskrijimin e detyrimeve të prapambetura?
Ato detyrime të reja që janë krijuar duhet patjetër të shlyhen ndërkohë që përsa i përket parandalimit të tyre është padyshim një çështje më e madhe. Ne shikojmë në format e mbajtjes në  kontroll të angazhimeve financiare, disa nga këto detyrime të prapambetura kanë lindur në disa departamente të caktuara të qeverisë të cilat duhet të shikojnë më mirë procedurat e tyre të buxhetimit, pasi mund të ketë nevojë për më shumë kontroll të centralizuar për të parandaluar krijimin e tyre në të ardhmen.

Cilat janë këto institucione për të cilat ju flisni?
Për shembull një nga ato është ministria e Transporteve dhe Autoriteti Rrugor shqiptar. Kjo është ministria që ka pjesën më të madhe të investimeve publike. Ajo që shikojmë është se ka më shumë nevojë në menaxhimin e projekteve, ka shumë projekte të copëzuara, që mbeten në letër dhe nuk kanë burime financiare dhe nga pikëpamja e menaxhimit të investimeve do të ketë shumë rëndësi përmirësimi i menaxhimit të tyre si për parandalimin e detyrimeve të prapambetura ashtu dhe në përmirësimin e investimeve. Gjithashtu duhet të kontrollohen angazhimet që ndërmerren nga ministrinë, me qëllim që angazhimet financiare të jenë të lidhura ngushtë dhe të bazohen mbi burimet buxhetore të alokuara.

Mendoni se ka keqpërdorim të fondeve publike për këto projekte nga institucione të veçanta?
Nuk mund ta përjashtoj si mundësi, por nuk është diçka që ne e investigojmë. Ne mbështesim plotësisht përpjekjet për të zbatuar ligjin, për një kontroll sa më të mirë të shpenzimeve dhe në këtë drejtim reforma në drejtësi është një hap i rëndësishëm.

Çfarë mund të thoni për shpenzimet publike të cilat deri në gjysmën e parë të vitit janë realizuar vetëm 30%, çfarë do të thotë kjo për ekonominë shqiptare?
Jam dakord me atë që ju keni vërejtur që prej shumë vitesh kjo është kthyer në traditë. Në shumë vite investimet janë nën nivelin e buxhetuar dhe arsyet janë disa. Së pari projektet me financim të huaj vonohen më shumë se sa ato me financim të brendshëm. Kjo ka të bëjë me nivelin e kërkesave që duhet të përmbushen dhe që kërkohen edhe nga partnerët e huaj. Një nga problemet kryesore që ne shikojmë është fragmentimi I projekteve, që do të thotë mbikëqyrje të dobët, ka projekte që mbeten në buxhet, nuk mund të financohen dot të gjithë njëkohësisht dhe ndonjëherë ndodh që një projekt merr një financim të dobët që nuk mund ta mbyll projektin. Ajo që rekomandojmë ne është që projektet duhet të konsolidohen në projekte më të mëdha, të prioritizohen dhe fokusi i financimit të tyre të jetë në bazë të prioritetit që ato kanë. Nuk është vetëm mungesa e fondeve që ka çuar në këtë situatë. Qeveritë për shumë vite nuk e kanë mundur dot të përdorin të gjithë buxhetin që kanë patur për investimet.

A mund të quhet e përmbushur detyra e qeverisë në një kohë që realizon të ardhurat dhe lë pas investimet publike?
Nuk është e nevojshme të shikohet vetëm aspekti makro. Është e vërtetë që qeveria ka marrë iniciativa të mira për të përmirësuar të ardhurat sikurse ishte lufta kundër informalitetit, padyshim që ka nevojë edhe për investime. Nuk është shpenzimi ajo që ka rëndësi në vetvete por produkti që vjen në fund nga këto shpenzime si shkolla, infrastruktura apo shërbimi ndaj publikut. Programi është i ankoruar në konsolidimin fiskal, uljen e borxhit publik dhe qeveria ka qenë në gjendje ta kontrollojë trajektoren e borxhit, nevojat për financim të borxhit kanë rënë, normat e interesit po ashtu dhe këtë vit për herë të parë do të ketë një suficit primar, por mbeten akoma sfida të rëndësishme. Ajo që dua të them është që reduktimi i informalitetit, përmirësimi i zbatimit të legjislacionit tatimor janë sfida kryesore por po kaq e madhe është edhe sfida për realizimin e shpenzimeve publike dhe investimeve.

FMN është e kënaqur me këto parametra të borxhit publik, të deficitit buxhetor, të të ardhurave, pavarësisht rritjes ekonomike, ekonomia duket sikur është në stanjacion dhe duket sikur ka një rënie të konsumit një rënie të prodhimit?
Treguesi më i mirë sesa të kënaqur jemi me ecurinë e programit është fakti që arritëm marrëveshjen në përfundim të misionit që ishte në Tiranë përpara disa javësh dhe dakordësi për politikat në vijim. Përsa i përket treguesve makroekonomik tregojnë që ka një përmirësim. Kemi një rritje ekonomike që po përshpejtohet, kemi zhvillime pozitive përsa i përket performancës së të ardhurave, kemi një nivel të kënaqshëm të investimeve të huaja direkte gjithashtu kemi përpjekje të kënaqshme përsa i përket zgjidhjes së çështjes së kredive nën standarde. Përsa i përket besimit te bizneset të konsumatorëve ka disa numra që citohet por në përgjithësi tregojnë përmirësim, pra ka një arsye për të qenë optimist sigurisht në mënyrë të matur. Them në mënyrë të matur sepse ringritja ekonomike mbetet delikate edhe për shkak se mjedisi global nuk është kaq nxitës dhe dua ta vendosim dhe këtë pak në kontekst që ekonomia Shqiptare po ecën mirë në një mjedis global që nuk është kaq pozitiv apo kaq nxitës ndaj rritje ekonomike.

Po mjedisi i brendshëm si ju duket,tensionet politike sa ka ndikuar në klimën e të bërit biznes në Shqipëri?
Klima e biznesit nuk është aq e mirë sa duhet të ishte e kam thënë disa herë por ama po përmirësohet. Qeveria po përpiqet të lëvizi në drejtimin e duhur në këtë aspekt mendoj që është shumë e rëndësishme miratimi I reformës në gjyqësorë sigurisht që kjo nuk do të sjelli ndryshime të menjëhershme por ajo që tregon është që klasa politike është e gatshme që të çoj reformat në drejtimin e duhur.

Gjithashtu heq një pengesë mjaft të rëndësishme në rrugën për në integrimin europian e cila është një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm për bizneset dhe ato e presin me padurim integrimin e mëtejshëm e megjithatë klima e biznesit ka nevojë për përmirësim të mëtejshëm dhe hapa të tjerë të nevojshëm si psh. paketa fiskale që synon të thjeshtoj procedurat fiskale dhe ti japi edhe partnerëve privat fuqinë për tu marrë në marrëdhëniet e tyre me administratën tatimore dhe gjithë kjo qasje me zbatimin e ligjit fakti që strategjia e reduktimit të kredive me probleme po zbatohet mirë është në rrugën e duhur dhe së shpejti shpresoj që të kemi një ndryshim në rritjen e kreditimit dhe kjo tregon që klima e biznesit është drejt përmirësimit.

Ju folët edhe për klimën politike ka pasur një periudhë kur të gjithë I shikonim lajme me interes por Shqipëria është në këtë rajon një ankorë e stabilitetit politik ku ka një dakordësi të gjerë nga të gjitha palët përsa i përket drejtimit të vendit për reformat të tregut të lirë për një sistem demokratik për një integrimin në BE të gjitha këto janë objektiva të ndara në mënyrë të gjerë nga e gjithë klasa politike.

Meqenëse u ndalëm pak tek reforma në drejtësi do doja nga ju se çfarë do ti sjellë Shqipërisë kjo reformë dhe zbatimi i saj nga këndvështrimi i FMN-së?
Do të duhet një fazë implementimi për këtë reformë nuk është se mund të presim që sapo u miratua në parlament atëherë do të ketë direkt impakt pozitiv kjo do të kërkoj një farë kohe për të parë si do të zbatohet si do të spastrohet korrupsioni nga sistemi gjyqësor por në fund fare do të sjell përfitime për qytetarët, bizneset sepse duhet të krijohet besimi që një çështje gjyqësore fitohet në bazë të së drejtës dhe jo në bazë të njohjes.

Që një kontratë do të zbatohet do të çojë në një situatë ku njerëzit mbase nuk do të kenë nevojë t’i drejtohen gjyqit për të zgjidhur një kontratë n.q.s psh. ka një kontratë për kolateralin nuk do të ketë nevojë për ta vënë në diskutim se çfarë kjo do të thotë dhe kjo do të çoj që aktorët e sektorit privat do të bien dakord shumë më shpejt.

Kjo siguri ligjore është diçka që gjithashtu do të garantoj edhe investitorët e huaj do të jetë një sinjal shumë i rëndësishëm për investitorët potencial që e kanë parë Shqipërinë në të kaluarën dhe kanë vendosur të investojnë diku tjetër pra është një sinjal shumë pozitiv për investitorët potencial.

Pra ju jeni optimist për reformën në drejtësi?
Unë jam gjithmonë optimist për reformat që shkojnë në drejtimin e duhur padyshim.

Përsa i përket ligjit të pronave e cila po mban larg edhe investitorët sepse është ende një çështje e pazgjidhur, çfarë do të rekomandonit dhe çfarë do të sjell kjo reformë në këtë drejtim?
Ne kemi nxitur gjithmonë qeverinë që ta zgjidhi çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave në një afat sa më të shkurtër dhe gjithashtu duke patur parasysh dhe mundësitë financiare për zgjidhjen e problemit por nuk është se ne jemi në gjendje që të japim një zgjidhje konkrete se nuk është ekspertiza jonë teknike por ajo që mund të themi është se kjo është shumë e rëndësishme për të ecur përpara dhe ka edhe eksperienca të tjera nga ekonomitë të tjera në tranzicion sesi kjo gjë është arritur dhe është kryer dhe sesi ka ndihmuar në çlirimin e potencialit të rritjes.

Çështja e kreditimit, në pjesën e parë të vitit dhe gjatë vitit të kaluar pamë që nuk kishte frymëmarrje biznesi. Bankat kanë likuiditet por në të njëjtën kohë janë shumë të shtrënguara për të dhënë kredi. Çfarë duhet bërë që të ndryshohet kjo situatë dhe biznesi të ketë mundësi jo vetëm të kreditohet por të ketë një orientim atje ku duhet për t’i çuar kreditë?
Qeveria dhe Banka Qendrore kanë hartuar një plan për reduktimin e kredive me probleme që para një viti dhe është bërë një punë në  disa drejtime të ndryshme përsa i përket ligjit të falimentit, aspekteve ligjore, ligji për përmbaruesit dhe këto ecin në drejtimin e duhur.

Ne rekomandojmë që qeveria dhe Banka e Shqipërisë të vazhdojnë në këtë drejtim sepse zgjidhja e kredive me problem të trashëguara është një parakusht për të çliruar rritjen e kredisë pastaj i takojnë bankave që të vendosin vetë se në cilët sektorë ata do të duan të përfshihen dhe të japin kredi. Por eksperienca dhe sidomos stoku I trashëguar të kredive me probleme e ka bërë kreditimin e kompanive të mëdha pak më të vështirë kohët e fundit për shkak të ekspozimit të lartë ndaj kredive.

Deri më tani këto kredi të këqija janë krijuar edhe sepse biznesi ndoshta ka marrë kredi për të investuar jo atje ku duhet dhe për ta orientuar çfarë duhet bërë që të dy palët të kenë besim tek njëra tjetra dhe për të çuar kreditimin tek ato sektorë prioritarë që duhet investuar me të vërtetë?
Nuk është se ka ndonjë kufizim ti japësh kredi një sektori apo një tjetri ajo që është e rëndësishme është që heqja e pengesave e barrierave dhe ajo që është e rëndësishme të kuptohet është sektori i madh i korporatave që ka kontribuar në stokun e kredive me problem dhe për këtë arsye bankat janë pak më skeptike të japin shuma të mëdha të kredisë kur portofoli i tyre është i përqendruar në një numër vogël kompanish të mëdha kështu që ajo që është e rëndësishme është që të pastrohet kjo trashëgimi ekzistuese e kredive me probleme dhe kjo do të sjelli dhe një diversifikim të portofolit në mënyrë që risku të shpërndahet në një mënyrë sa më eficente.

Si mund ta komentoni faktin që Banka e Shqipërisë në mënyrë të shpeshtë ka lehtësuar politikat fiskale duke ulur herë pas here normën bazë të interesit por kjo gjë nuk është reflektuar në ekonominë reale, përse ndodh kjo gjë?
Nuk e di se ç’kuptoni në këtë rast me ekonomi reale nëse kuptoni rritjen e kreditimit atëherë ka barriera të tjera që nuk kanë të bëjnë me normën e interesit. Por përsa i përket uljes së normës së interesit është motivuar kryesisht nga inflacioni dhe nga nevoja e Bankës Qendrore për të arritur objektivin e tyre të inflacionit dhe për këtë arsye duhet të marrin masat e duhura në politikën monetare për të shkuar drejt objektivit të tyre të inflacionit dhe ky është një objektiv afatmesëm dhe jo objektiv afatshkurtër dhe vendimet e marra nga Banka e Shqipërisë janë krejtësisht në përputhje me objektivin e saj për ta kthyer inflacionin në target në periudhën afatmesme.

Përsa i përket kreditimit mjedisi i interesave është shumë nxitës për kreditim por ama ka të tjera pengesa risku është i lartë për shkak të sistemit gjyqësore, ekzekutimit të kolateralit, kredive të trashëguara me probleme, zbatimit të kontratave kështu që strategjia e duhur për tu marr me këtë është zbatimi I planit të veprimit për reduktimin e kredive me probleme dhe gjithashtu përpjekjet akoma më të gjëra për të forcuar zbatimin e ligjit dhe për të përmirësuar cilësinë e gjyqësorit dhe me këto masa ne do kemi shans të vërtet për të rritur kreditimin në ekonomi.

Por për të rritur konsumin çfarë duhet bërë, sepse konsumi është shumë i ulët?
Është e vërtet? Ju e pohoni këtë por unë nuk e shikoj ekonomia është duke u rritur, konsumi gjithashtu është duke u rritur ka një deficit të llogarisë korrente që është shumë i madh që sigurisht është kryesisht i nxitur nga importet për investimet e huaja që gjithashtu ne e dimë që muajt e verës janë një periudhë shume rëndësishme për konsumin dhe ndoshta duhet të shkojmë në gusht për të parë se çfarë me të dhënat dhe çfarë ndodh aty jashtë, duket sikur besimi i konsumatorëve është duke u përmirësuar.

Mendoni se qeveria duhet të rrisë pagat dhe pensionet, është momenti?
Le të fillojmë me pensionet. Ato janë të indeksuara me inflacionin pra ato janë të mbrojtura nga humbja e fuqisë blerëse pra kjo është një politikë e mirë, e përshtatshme dhe nuk është e nevojshme të rishikohet kjo politikë. Përsa i përket pagave ka disa vështirësi dhe nuk duhet harruar që jemi në një fazë konsolidimi fiskalë qeveria duhet të jetë e kujdesshme për shpenzimet shtesë dhe duhen parë gjithmonë në kontekstin sesi do financohen pra meqenëse ka kërkesa të ndryshme për shpenzime ne ndoshta do të privatizonim më tepër shpenzimet për investime sesa ato korrente sepse nga pikëpamja jonë do të ishte më efektive dhe gjithashtu nga pikëpamja jonë do të ishte mirë që totali i faturës së pagave të mbahej në kontroll.

Pra FMN nuk i rekomandon qeverisë që të bëj këto ndryshime, nuk është momenti?
Siç thash është aspekti ekonomik që duhet konsideruar fatura totale e pagave është brenda kufizimit të kuadrit makro kemi një target për të arritur një  bilanc primar pozitiv dhe përsa i përket të ardhurave janë sipas planit dhe nuk është se ka më shumë hapësirë për shpenzimet shtesë pro nëse bëhet fjale për kërkesa të veçanta apo për disa profesione të veçanta atëherë sigurisht kjo mund të behët kjo është pastaj një debat që duhet bërë në një nivel ministrie, departamenti, specialistësh që të paguash më tepër ato njerëz që janë më produktiv apo të tërheqësh disa aftësi që janë të kufizuara apo janë tepër  të nevojshme por sigurisht duke ruajtur shpenzimet e përgjithshme të ruhen pra mund të ketë rregullime brenda përbrenda por fatura e përgjithshme sigurisht duhet të mbahet në kontroll.

Ministria e Financave ka folur dhe në programin e saj 2017 pritet që të ketë rritje pagash?
Përsa i përket buxhetit 2017 nuk i kemi filluar ende diskutimet është herët ne do ta diskutojmë me autoritetet buxhetin në misionin e ardhshëm. Ajo që është e rëndësishme është që ankora edhe për buxhetin e ardhshëm është vazhdimi I trajektores së konsolidimit fiskalë.

Ju e vlerësuat edhe pak më parë ndërhyrjet që po bëhen për lehtësimin e procedurave tatimore por ndërkohë ende nuk po flitet për ndryshim taksash por vetë FMN ka thënë që ndoshta duhet rritur ndonjë taksë?
Siç thashë ankora e 2017 është vazhdimi i rrugës se konsolidimit fiskalë ne e mbështesim plotësisht përpjekjet për të thjeshtuar procedurat tatimore dhe për ta bërë administrimin tatimorë dhe administratën tatimore sa më efektiv sa më miqësorë me biznesin kjo do të ndihmojë edhe klimën e biznesit por edhe grumbullimin e të ardhurave. Përtej kësaj nuk është se kemi diskutuar më tepër ne dimë që qeveria preferon që mos të ngrejë nivelin e taksave vitin tjetër por kjo do të balancohet me performancën e të ardhurave dhe nevojën për  shpenzime gjithashtu. Është akoma tepër herët për të spekuluar për masa të veçanta.

Por ndërkohë paketa 2017 pritet të shkoj në muajin shtator në qeveri ju ende nuk keni diskutuar nuk i keni parë detajet e paketës ju jeni një nga partnerët kryesorë?
Është buxheti 2017 që do të shkoj në parlament nga fundi i vitit dhe ne do ta diskutojmë me qeverinë në vjeshtë dhe unë për këtë po flas.

Ndërkohë që unë po flas për draftin e ri të paketës fiskale të vitit 2017 e cila pritet të shkoj në qeveri dhe më tej në komisionet parlamentare për tu diskutuar?
Përsa i përket ndryshimeve në procedurat tatimore ne I mbështesim përpjekjet për ti thjeshtuar ato apo për të dhënë qartësi në procesin e detyrimit tatimorë dhe ne I kemi diskutuar me qeverinë kemi dhënën komentet tona dhe ne e mbështesim këtë por kjo nuk ka të bëjë me ndryshimet e nivelit të taksave.

Pra ju po konfirmoni që nuk do të ketë ndryshime taksash sepse dhe biznesi për këtë është interesuar më tepër?
Po ngatërrohen dy gjëra ajo që ju i referoheni si paketa fiskale janë ndryshimet në procedurat tatimore që është diskutuar dhe do të kaloj dhe tjetra është buxheti dhe paketa fiskale që vendos nivelin e taksave që do të diskutohet më vonë në vjeshtë këto janë dy gjëra të ndryshme dhe ajo që i referohet si paketa fiskale është e pavarur nga buxheti kjo paketë fiskale e kemi diskutuar me qeverinë, e mbështesim qëllimin kryesorë të saj është një ide e mirë për të thjeshtuar procedurat administrative apo për të hequr burokracitë. Buxhetin e vitit 2017 nuk e kemi diskutuar ky diskutim do të ndodh në vjeshtë.

Unë këmbëngula më tepër sepse dhe vetë Ministri i Financave ka thënë që nuk do të ketë rritje taksash ndërkohë që zëra të veçantë si ulja e pragut të blerjeve online po ndodhin kohët e fundit?
Unë mund të përsëris që diskutimet për 2017 nuk kanë filluar ato do të udhëhiqen nga nevoja për të ulur borxhin publik në raport me GDP përsa i përket taksave individuale do të bëhen atëherë dhe në atë kontekst nuk mund ta kemi këtë diskutim tani pasi nuk kemi përformancën e 2016 dhe parashikimet e 2017 kështu që ky diskutim nuk mund të behet tani kështu duhet të pres.

Këto ditë është shpallur koncensionari për rrugën e kombit shumë grupe interesi kanë shprehur ankesa për taksën 5 euro që do të vendoset për këtë rrugë madje ekspertë të veçantë flasin për një taksë shtesë për qytetarë pasi në Shqipëri qytetarët paguajnë dhe një taksë për qarkullimin. Ju si e komentoni këtë gjë?
Përsa i përket koncesioneve dhe PPP ne kemi këshilluar qeverinë që ti përfshijë ato në planin e investimeve publike dhe ti shikoj PPP si një mënyrë financimi të investimeve publike pra në këtë mënyrë projektet duhet të zgjidhen me kujdes dhe t’u jepet prioritet dhe projektet nuk do të miratohen thjesht sepse ka financim të gatshëm por vendimmarrja duhet të niset nga nevoja për ta kryer investimin.

Koncesionet mund të ndihmojnë për të plotësuar nevojën për mirëmbajtjen e rrugëve por nuk është se kemi mendime për koncesionet individuale pro i sugjerojmë dhe i rekomandojmë për të patur procedura sa më transparente për koncesionet.

Në datën 1 gusht nis një tjetër fushatë e luftës kundër informalitetit duke nisur me ndërgjegjësimin sit ë konsumatorëve por dhe të bizneseve do të ketë një ridalje në terren të administratës tatimore. Si e vlerësoni këtë fushatë në këtë periudhë. A është momenti I duhur? Do të jap rezultate tek qytetarët?
Nuk dua të flas për një fushatë. Përpjekjet për të reduktuar informalitetin duhet të jenë si një përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar situatën dhe për të ndryshuar sjelljen e sektorit privat dhe administratës tatimore. Lufta kundër informalitetit e cila filloi para 1 viti faza e dytë është e bazuar në eksperiencën dhe mësimet e nxjerra nga viti i parë, ne e mbështesim, qasja në përgjithësi është ajo e duhura.

Ka potencial për të siguruar më shumë të ardhura, eficenca tatimore është shumë më e ulët pra boshllëku i taksave që duhet të grumbulloheshin me ato që grumbullohen është i madh por kjo kërkon angazhim në një periudhë afatgjatë qoftë nga administrate apo politikbërësit për të reduktuar këtë diferencë këtë boshllëk midis taksave që duhet të mblidheshin dhe ato që mblidhen tani.

Një vit më parë kur qeveria ndërmori një hap në kohën e fushatës së informalitetit përjashtoi nga taksat biznesin e vogël dhe rriti kufirin e xhiros. FMN-ja shprehu shqetësimin se kjo do të sillte një rritje të evazionit fiskalë në çfarë konkluzioni jemi tashmë?
Mirë që fillohet nga bizneset e mëdha kur risku është më i madh por do të ishte mirë të gjithë agjentët ekonomik të kishin nën kontrollin ekonomi formale dhe të kishin një bazë të dhënash sa më të plotë për të gjitha transaksionet që kryhen në ekonomi përsa i përket edhe bizneseve të vogla edhe të mëdha.

Ju keni arritur tashmë në rrugën 3-vjeçare të marrëveshjes shqiptare mund të kemi një koment sesi ka qenë marrëdhënia e FMN me qeverinë gjatë kësaj periudhe?
Programi ka performuar mjaft mirë. Ka patur shumë reformat ë rëndësishme që janë marrë si ajo në sektorin e energjisë elektrike apo ajo e pensionit. Qeveria ka bërë një punë shumë të mirë për ti mbajtur zhvillimet fiskale nën kontroll edhe kur është përballur me sfida të paparashikuara që kanë qenë faktor që si ka patur në kontroll si psh. rënia e çmimit të naftës shoqëruar me rënie e të ardhurave nuk mund të parashikohej kur filloi programi që rritja në eurozonë do të ishte kaq e ulët dhe inflacioni do të ishte kaq i ulët që ka shtuar sfidën për Shqipërinë. Shikojmë frytet e disa politikave që janë ndërmarrë në fillim akoma më tepër duhet bërë ne akoma nxisim për reformat të tjera që të ndërmerren që të përmirësohet klima e biznesit cilësia e shpenzimeve publike.

Përmirësimi i  menaxhimit të financave publike dhe ne do të vazhdojmë punën me administratën tatimorë për të përmirësuar administrimin tatimore.

Sa do të jetë rritja ekonomike për vitin 2016 i qëndroni parashikimeve tuaja fillestare?
Aktiviteti ekonomik në 3-mujorin e parë pati rritje rreth 3 % duke u nisur nga sezonaliteti i rritjes ne mendojmë që parashikimi jonë do të përmbushet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: