NGA BRIKENA METAJ

GJIROKASTËR – “Shqiptarët duhet t’i dalin vetë për zot trashëgimisë së tyre. Nëse ju nuk punoni, UNESKO nuk do të bëjë asgjë”. Kjo është deklarata që arkitekti dhe akademiku Sinan Genim, prej shumë vitesh anëtar i këshillit të organizatës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore, UNESCO, ka dhënë nga Gjirokastra. Ndërsa e ka cilësuar Gjirokastrën pronare të një trashëgimie të madhe e të rëndësishme, ai ka theksuar nevojën për ruajtjen e kësaj pasurie dhe përcjelljen në brezat e ardhshëm. I drejtpërdrejtë dhe pa dashur t’u japë shqiptarëve shpresa të rreme, Genim ka theksuar se janë vetë vendësit, ata që duhet të kujdesen për pasuritë e tyre, pa pritur nga UNESKO apo kushdo tjetër.

“Gjirokastra është pronare e një trashëgimie shumë të madhe, shumë të rëndësishme dhe si e tillë lind nevoja si do ta vlerësojmë në ditët tona këtë trashëgimi dhe si do ta transmetojmë në të ardhmen. Një vend si Gjirokastra e meriton plotësisht të ndodhet në UNESKO. Çdo akumulim kulturor që paraqet vlera universale duhet të jetë i përfshirë në këtë fond kulturor të trashëgimisë. Por unë mendoj se nëse Gjirokastra apo gjirokastritët mendojnë e presin që UNESCO duhet të bëjë diçka për këtë qytet, kjo është thjesht një ëndërr e një iluzion. Këtij vendi e këtyre shtëpive duhet t’i dalin për zot gjirokastritët, janë vendësit ata që e kanë për detyrë të mbrojnë vendin e tyre dhe ta sjellin atë në forma sa më të mira, sepse janë pikërisht ata që e kanë ndërtuar”, shprehet Genim.

Sipas akademikut Sinan Genim, qytetet si Gjirokastra apo Berati duhet të bëjnë shumë për të tërhequr turistët, në një kohë kur ndihet konkurrenca e fortë midis turizmit kulturor e atij natyror.

“Shumë më tepër njerëz preferojnë të shkojnë nëpër plazhe sesa të vizitojnë qytete muze apo site kulturore si Gjirokastra. Natyrisht që edhe shtete të ndryshme i orientojnë ekonomitë e tyre sipas këtyre sektorëve të ekonomisë”, pohon Genim. Ai shkon më tej duke lënë të kuptohet se nëse do të donte, UNESKO do të mund të rimëkëmbte qytete si Gjirokastra, por jo rrallëherë ajo lë në hije vlera të rralla të trashëgimisë botërore. Si ilustrim akademiku turk, Sinan Genim, sjell rastin e Italisë dhe Francës. “Është UNESKO ajo që i ka restauruar tempujt në Itali e Francë e është po UNESKO ajo që mund të ketë lënë në hije shumë vendbanime të tjera kulturore që janë me të vërtetë madhështore, kështu që unë jam gjithmonë i mendimit se janë vendësit, ata që duhet t’i dalin për zot trashëgimisë së tyre.

Pra shpëtimi, shkëlqimi e gjithçka tjetër duhet të vijnë nga vetë ata e askush tjetër. Nëse ju nuk punoni, as UNESKO nuk do të bëjë gjë”, përfundon fjalën e vet Sinan Genim. Edhe pse Gjirokastra mbetet pasuri e vlefshme botërore, rrënimi duket se është ulur këmbëkryq në çdo cep të këtij qyteti të konsideruar muze. Mbi 300 ndërtime pa leje vijojnë ende të jenë të pranishme në zonën muzeale, ndërsa pothuajse përditë një shtëpi karakteristike shembet në Gjirokastër.

Problemet me pronësinë, pamundësia ekonomike e banorëve dhe e shtetit për t’i restauruar nuk mund ta ndalin rrënimin e vazhdueshëm të kësaj pasurie të jashtëzakonshme. Për qytetarët gjirokastritë, 10 vite më parë anëtarësimi në UNESKO ishte drita jeshile drejt shpëtimit të pasurisë që u lanë të parët. Shpejt u kuptua se e gjitha kjo ishte një iluzion, ëndërr në qiell të hapur. Futja në listën e zezë të UNESKOs dy vite më parë dhe alarmi për gjendjen aktuale të qytetit muze të Gjirokastrës, krahas Beratit, shoi çdo shpresë për ndihmesë konkrete financiare, ndërsa dalja nga kjo listë dhe festimet për përvjetorin e 10 në UNESKO duken një parodi.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: