Është krejt e qartë se akti i fundit i Kosovës për të vendosur targa të përkohshme automjeteve me targa serbe, në kalimin e kufirit, në përfundim të marrëveshjes së mëhershme, ka imponuar fuqishëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, temën e reciprocitetit. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, reciprociteti zakonisht lidhet me shkëmbim dypalësh favoresh, përfitimesh, trajtimesh pozitive.

Pra,akti i fundit i qeverisë Kurti, ndërsa pala tjetër po bën një luftë nervash, kush tërhiqet i pari, synon të vendosë reciprocitetin me Serbinë. A do ja arrijë?

Që t’ja arrijmë ne, së pari dhe si kryesore, është që ne si komb, duhet të jemi bashkë! Bashkë me Perëndimin. Duhet të këshillohemi mirë. Duhet të kemi një strategji dalëse.

Ndërsa Serbia synon të nxisë si reaksion,themelimin e Asosacionit, ne duhet të veprojmë sipas parimit “ njëra dorë lanë tjetrën, të dyja lajnë fytyrën.”. Të ndihmojmë Kosovën, të ndihmojmë veten, të ndihmojmë kombin.

Skenari eventual serb, me asosacion, pra thellimi i ndarjes territoriale sipas vijave etnike, mund të mos ndalet kurrë. Ne duhet të ishim të përgatitur, por më mirë vonë se kurrë, që të themelojmë Asosacionin e tre komunave tona në Jug të Serbisë, të hapur për bashkimin e ndonjë komune tjetër, në Sanxhak. Ka patur shprehje të vullnetit popullor nëpërmjet referendumeve në këtë drejtim dhe ne duhet ta jetësojmë këtë vullnet.

Ky do të ishte reciprocitet real për trajtimin e pakicave në të dy shtetet tona, ndonëse reciprociteti i plotë ka shumë sfera të tjera. Është vonë, por ne duhet të jemi të përgatitur. Ekzistenca jonë në Jug të Serbisë, po kërcënohet pa u ndalur dhe ne nuk mund të lejojmë që të humbim dyfish: të tkurrim autoritetin shtetëror në veri të Kosovës, ndërsa në Jug të Serbisë, po tkurrim ekzistencën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: