NGA: ANISA YMERI * TIRANE- Shkrimtarët, përkthyesit dhe botuesit shqiptarë munden të përfitojnë fonde nga rrjeti TRADUKI për përkthimin e autorëve nga gjermanishtja në të gjitha gjuhët e vendeve të Evropës Juglindore dhe autorët e këtyre vendeve, të përkthehen në gjermanisht, gjithaq edhe përkthime ndërmjet të gjitha këtyre gjuhëve. Por ngërç duket të jetë mos aplikimi i shtëpive botuese shqiptare pasi deri më tani, statistikat tregojnë se botuesit shqiptarë, s’kanë ditur e s’kanë mundur dot të përfitojnë dot sa duhet prej këtij rrjeti, ku mundësitë janë jo të vogla.

“Jemi duke punuar fort në këtë drejtim, po u përgjigjemi shtëpive botuese që sjellin ofertat e tyre dhe po u propozojmë shtëpive botuese autorë që të përkthehen në shqip e autorë shqiptarë që të jenë prezent në gjuhë të tjera. Jemi shumë aktivë në këtë drejtim sepse kemi një qëllim, t’u tregojmë gjermanishtfolësve që ka shumë autorë të tjerë të mirë shqiptarë, ka letërsi të mirë në këtë vend, përveç të vetmit autor shqiptar që ata njohin, Ismail Kadarenë.”, -tha Antje Contius, Drejtore e rrjetit ‘Traduki.

Shtëpitë rezidenciale të shkrimtarëve dhe përkthyesve, projektet e festivaleve të ndryshme të librit, Panairi i Librit, “Leipzig 2016” dhe politikat e botimeve në të ardhmen qenë domosdo në qendër të këtij takimi të TRADUKI-t në Tiranë.

“Me punën e TRADUKI-t, jemi në përpjekje të mëdha për të përkthyer sa më shumë autorë shqiptarë në serbisht, kroatisht, rumanisht…në gjuhët e Ballkanit. Mbetet ende një dëshirë shumë e fortë, por në këtë pikë më duhet të jem e ndershme, pasi deri tani nuk kemi arritur shumë, por ama jemi në rugën e duhur, është ajo që të kemi sa më shumë autorë shqiptarë të përkthyer për gjermanishtfolësit në botë. Arsyeja që kjo s’ka ndodhur, nuk është letërsia juaj sepse ju keni autorë shumë të mirë. Ky nuk është problem vetëm shqiptar, e gjithë letërsia e vendeve të Evropës Juglindore, nuk është e prezantuar mirë në tregun evropian, dhe në fakt duhet të jetë!”, -shtoi Contius.

Ministrja Kumbaro, vë theksin në sfidat dhe fuqizimin e prezencës së TRADUKI-t në Shqipëri, pasi përfitimet janë jo të vogla. “Synimi është të rrisim mobilitetin e shkritmarëve dhe përkthyesve tanë nëpërmjet programeve të rezidencës dhe të bëhemi të gjithë bashkë, në takime, konferenca e debate; të diskutojmë për kulturën tonë, për letërsinë tonë dhe për shkrimtarët…dhe të krijojmë kështu sinergji për të ardhmen.”, – tha Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës.

Zyrtarisht është nënshkruar një marrëveshje mes rrjetit TRADUKI dhe Ministrisë së Kulturës janarin e 2014-ës. Ndërsa mbahej në Tiranë takimi i radhës ku qenë prezent përfaqësuesit më të lartë të TRADUK-it, anëtarët e rrjetit, drejtues të lartë të Artit dhe Kulturës të Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë, u nënshkrua edhe anëtarësimi i Rumanisë në këtë rrjet. Ndërsa Shqipëria deri më tani është mbështetur në përkthimin e disa botimeve dhe shkrimtarëve rezidentë në Tiranë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb