Përfaqësuesja e OBSH-së në Shqipëri, Bettina Menne deklaroi se Shqipëria i është përmbajtur rreptësishtë protokolli për numrin e testimeve për zbulimin e rasteve me koronavirus. Në një intervistë për emisionin “Real Story” në “News 24” Menne tregoi rrugën që ndiqet nga autoritetet tona për rastet që zbulohen dhe më pas vendoset që të testohen kontaktet e tyre.

“Mendoj se jeni duke folur për dy çështje që lidhen me njëra-tjetrën, për testimet dhe menaxhimi i pacientëve. Mesa kam kuptuar unë situatën në Shqipëri, është zhvilluar triazhi, ndarja e pacientëve, me simptoma të rënda e nga ato të lehtat. Atyre me simptoma të lehta u kërkohet që të qëndrojnë në mbikëqyrje dhe në shtëpi. Duke marrë në konsideratë dhe njësitë e kujdesit, nuk kanë shumë shtretër. Pra u mor masë për të pasur sa më pak persona në spital. Duhen 12 persona për t’u kujdesur për një pacient. Shqipëria iu përmbaj rreptësishtë protokollit të OBSH. Ajo që themi ne është; “testoni rastet e dyshuara”. Kur një person ka njoftuar qendrën e Urgjencave, është bërë Triazhimi, është njoftuar ISHP, spitali, Komiteti i Emergjencave, ngrihet grupi i investigimit, të cilët hetojnë se me kë ka pasur ky person kontakte. 2500 persona janë testuar deri tani. Nëse protokolli i testimit ka ndryshuar, ai duhet të përcaktojë se kush do t’i nënshtrohet testimi. Nëse do bësh testin e PCR, do duhet ta përsërisësh sërish pas 2 javësh. Nuk është vetëm një herë.”, tha përfaqësuesja e OBSH-së në Shqipëri.

Po ashtu ajo pohoi se nuk përjashtohet një valë tjetër e koronavirusit, por nuk mund të parashikohet se sa e fuqishme mund të jetë ajo.

“Mund të ketë valë të dytë, pasi maturantët janë kthyer në shkolla dhe mund të ketë gjasa që të ketë raste. Por nuk dihet se sa do të jetë vala e shpërthimit.”, pohoi ajo.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb