VJENË- Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, tha sot se sulmet dhe kërcënimet e ditëve të fundit kundër gazetarëve në Shqipëri janë të papranueshme, duke iu referuar kërcënimit të gazetares së Gazeta Shqiptare, Aurora Koromani dhe djegies së automjetit të gazetarit të News24, Enver Doçi.

Më 2 qershor, Aurora Koromani, gazetare në gazetën “Gazeta Shqiptare” mori një kërcënim nga një militant islamik i dyshuar. Ajo e denoncoi kërcënimin në polici, e cila e vlerësoi si serioz dhe tani e ka marrë nën mbrojtje Koromanin. Në një incident tjetër, më 4 qershor, një makinë që i përkiste Enver Doçit, gazetar i televizionit “News 24”, iu vu flaka dhe u shkatërrua në qytetin e Burrelit, në veri të Shqipërisë. Përfaqësues të këtij organizmi kanë mbërritur ditën e sotme në Burrel, duke kqyrur nga afër situatën. “Këto sulme janë tërësisht të papranueshme dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për median e lirë”, tha Mijatović.

“Unë e vlerësoj faktin që autoritetet kanë nisur me të shpejtë hetimet për këto incidente dhe që policia po i jep mbrojtje Koromanit. Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve nuk duhen lënë kurrë pa u ndëshkuar”, thekson Mijatović.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet në fushën e medias, në të gjitha 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo bën paralajmërim të hershëm për shkeljet e të drejtës së shprehjes dhe lirisë së medias dhe promovon respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së për lirinë e medias.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb