Një punishte e përpunimit të drurit është përfshirë nga flakët pak pas mesnate. Ngjarja ndodhi në fshatin Plezhë në bashkinë Vau Dejës. Punishtja e përpunimit të drurit është në pronësi të shtetasit Zef Ndreca i cili kishte shtëpinë ngjitur me biznesin. Dyshohet se zjarri në këtë punishte është i qëllimshëm dhe shkaku mund të jetë konkurrenca e subjekteve të tjera që kanë të njëjtin biznes.

Zjarri ende nuk është shuar plotësisht dhe pritet që policia të bëjë këqyrjen e kamerave të sigurisë për të arritur në identifikimin dhe më pas gjetjen dhe kapjen e autorëve. Autorët ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hedhur lëndë djegëse benzinë duke shkaktuar këtë zjarr.

Duke qenë se shtëpia e familjes Ndreca ndodhet afër punishtes, të gjithë anëtarët e familjes në atë moment sapo kanë konstatuar flakët kanë arritur të dalin me shpejtësi duke vënë në rrezik jetën pasi zjarri është përhapur me shpejtësi në të gjithë objektin duke vazhduar edhe gjatë paradites së sotme.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur 2 zjarrfikëse nga Vau i Dejës ndërsa në ndihmë të tyre kanë ardhur tre zjarrfikëse nga Shkodra dhe një nga Lezha të cilat bënë të mundur neutralizimin e zjarrit. Rreth punishtes ndodhen disa banesa të cilat shpëtuan pa u djegur, mes të cilave edhe shtëpia e pronarit të këtij biznesi. Dëmi i shkaktuar është i konsiderueshëm ndërsa policia dhe zjarrfikëset vijojnë hetimet për të nxjerrë shkakun e plotë të kësaj ngjarje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: