DURRES- Një apartament në katin e katërt të një pallati në Durrës është përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 5 të qytetit bregdetar, teksa në apartament ndodhej e vetme një e moshuar e paralizuar.

Kanë qenë fqinjët ata që kanë pikasur flakët, duke shkuar në ndihmë të gruas 83-vjeçare Mereme Shesho.

Pasi kanë thyer derën e jashtme, fqinjët kanë mundur të depërtojnë në brendësi të apartamentit, duke e nxjerrë jashtë të moshuarën.

Si pasojë e zjarrit mësohet se gruaja ka marrë lëndime të lehta në njërën këmbë, ndërsa ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Durrësit.

I lënduar ka mbetur edhe fqinji Ali Shehu, 62 vjeç, i cili i dha dhe ndihmën e parë, por pa pasoja serioze.

Në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të policisë, si dhe forcat e zjarrfikësve, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarri, por policia po heton për të zbardhur ngjarjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb