Ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi, në një lidhje të drejtpërdrejtë për News24, analizoi zhvillimet mes Iranit dhe Izraelit, duke theksuar se pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve, një luftë globale është pak e mundshme për shkak të pranisë së armëve bërthamore dhe maturisë ndërkombëtare.

“Bota ka 80 vite pa një luftë globale, jo vetëm për shkak të mençurisë politike, por edhe për shkak të efektit parandalues të armës bërthamore,” tha Ajazi. Ai shtoi se konfliktet e mëdha si Ukraina dhe Izraeli-Irani kanë vënë në lëvizje gjithë komunitetin ndërkombëtar.

Sipas tij, SHBA ka gjasa të qëndrojë jashtë konfliktit, duke qenë se përfshirja e saj mund të nxiste një përgjigje të ashpër nga Irani. “Tre aeroplanmbajtëse ndodhen pranë kanalit të Hormuzit dhe një përshkallëzim do të rrezikonte seriozisht qarkullimin e naftës në botë”, paralajmëroi ai.

Ai përmendi edhe rritjen e rolit të Indisë dhe Pakistanit në lojën strategjike globale, ndërsa vlerësoi qëndrimin e kujdesshëm të Kinës. Ajazi theksoi se pavarësisht sulmeve të Izraelit, rreziku që Irani të armatoset me armë bërthamore mbetet real dhe mund të justifikojë një ndërhyrje amerikane në konflikt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb