Përfundojnë gërmimet për hapjen e tunelit të Skërficës, pjesë e aksit rrugor Kardhiq-Delvinë. Gërmimet kanë përfunduar në të gjithë gjatësinë e tunelit, 1316 metra, ndërsa po punohet për hapjen e metrave të fundit të tunelit të emergjencës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe kryetarin e Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, ndoqën nga afër punimet që po vijojnë në këtë vepër, ku përshkuan edhe tunelin e sapohapur.

Drejtori i ARRSH bëri të ditur se me përfundimin e gërmimeve do të vijojë puna për vendosjen e të gjithë elementëve sa i takon sigurisë dhe menaxhimit të tunelit, si dhe shtoi se po punohet edhe lotet e tjera të aksit Kardhiq-Delvinë.

“Tuneli është i gjatë 1316 metra. Pas hapjes do të vijohet me themelet e tunelit, me veshjen e armaturës, betonimin e imët dhe në fund fare pjesën elektro-mekanike, që ka një rëndësi të madhe, pasi duke qenë se është një tunel i gjatë, në bazë të standardeve që ne kemi, duhet të ketë patjetër aspirim. Gjithashtu, kanë përfunduar edhe punimet që bëjnë lidhjen e tunelit kryesor me tunelin e emergjencës”, u shpreh Berberi.

Me avancimin e punimeve, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, synohet që aksi rrugor Kardhiq-Delvinë të përfundojë para nisjes së sezonit të ri turistik, duke shkurtuar kështu kohën e udhëtimit drejt Sarandës, por njëkohësisht duke afruar bregdetin me qarkun e Gjirokastrës dhe duke krijuar kështu një treg të përbashkët për këto dy rajone.

“Aksi Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi prej 33 kilometrash. Është një nga veprat më të rëndësishme për lidhjen e dy rajoneve, bregut me pjesën e brendshme, Gjirokastrën dhe Tepelenën dhe padyshim do të jetë një nga indikatorët e rëndësishëm për nxitjen e ekonomisë, sidomos zhvillimit të turizmit. Ne shpresojmë shumë që kjo vepër të përfundojë para afatit kontraktual, i cili është gusht 2022. Kemi marrë një premtim nga kompania, edhe nga ARRSH që do dorëzohet në fillim të sezonit, gjatë muajit qershor të vitit tjetër duke e bërë kështu të aksesueshĕm dhe duke krijuar komoditet jo vetëm për banorët e të dy zonave, por edhe të gjithë turistëve që do të kenë mundësi të vizitojnë edhe Gjirokastrën, edhe Tepelenën edhe bregun gjatë pushimeve verore”, deklaroi ministrja Balluku.

Aksi Kardhiq-Delvinë përbehet ka 8 lote, ku tre lotet e para kanë përfunduar, lotet 4, 5 dhe 6 janë në proces ku deri më tani janë realizuar më shumë se 90% e punimeve, ndërsa loti 8 është i fokusuar kryesisht në vendosjen e elementëve të sigurisë rrugore si dhe forcimin e skarpateve.

“Unë shpresoj shumë që shumë shpejt të kemi mundësi për të vazhduar edhe me etapat e tjera të loteve, të shikojmë lidhjen që do ndodh me lotin 6 dhe gjithçka tjetër për përfundimin e kësaj vepre. Nuk kemi nga kompania shprehje të ndonjë vështirësie apo problematike dhe kjo është padyshim diçka shumë e mirë në këto momente. Shpresojmë të ecim me të njëjtat ritme. Do bëjmë të pamundurën për ta përfunduar para afatit kontraktual”, theksoi Balluku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb