Ka përfunduar afati 10-ditor i vendosur nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë për bojkotimin e gjyqeve të masave të sigurimit, në shenjë proteste kundër draftit të KLGJ për hartën e re gjyqësore.

Afati i bojkotit ka përfunduar ditën e djeshme, më 18 korrik, duke bërë që nga e hëna e djeshme avokatët në gjithë vendin të marrin pjesë në seancat gjyqësore për caktim mase, ndërsa vijon bojkoti pa afat për gjyqet në themel. Ndërkohë, të enjten e ardhshme, do të ketë një tjetër mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, për të përcaktuar se si do të vijohet me bojkotin.

Takimi do të zhvillohet më 21 korrik në orën 11:30, vetëm një ditë para mbledhjes së paralajmëruar të Komitetit të Disiplinës. Ky i fundit vendosi pak ditë më parë pezullimin e licencës për një avokat nga Fieri, që kishte shkelur bojkotin, ndërsa nga 14 të tjerët, 11 shfrytëzuan kuadrin ligjor me kërkesën për më tepër kohë që të njiheshin me akuzat, ndërsa për 3 u vendos rrëzimi i kërkesës për masë disipline.

Avokatët në gjithë vendin prej javësh tashmë protestojnë kundër draftit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësi, që parashikon uljen drastike të numrit të gjykatave në vend. Deri më tani kanë kaluar 3 faza bojkoti, një protestë masive para dyerve të KLGJ-së dhe thirrje të vazhdueshme për të mos u miratuar ashtu siç është parashikuar drafti, por vazhdimisht kanë ndeshur në mospërfillje nga aktorët vendimmarrës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: