Klubi i Partizanit me anë të një njoftimi në faqen zyrtare ka bërë të ditur se ka përfunduar bashkëpunimi me sulmuesin Edgar Çani.

Sipas të kuqve, me 29-vjeçarin janë ndarë në paqe pasi kontrata është ndërprerë me mirëkuptim. Çani u afrua në verën e vitit të kaluar, por ai asnjëherë nuk arriti t’i përmbushte pritshmëritë pasi në pothuajse në më të shumtën e kohës ishte i dëmtuar.

Së fundmi ai, sipas trajnerit Gega, ishte dërguar të stërvitej me ekipin B pasi nuk kishte formën e duhur.

Mesa duket prishja e kontratës ka ardhur pasi sulmuesi ka gjetur një sistemim të ri. Mësohet se shtatlarti është pranë akordit me Vibonezen në Serinë C italiane, ku do të tentojë të rikthehet ai i zakonshmi, me shpresën se do të luajë rregullisht dhe pa shqetësime fizike.

Me largimin e Çanit, Partizani mbetet vetëm me Hebajn në sulm, ndaj në ditët e ardhshme pritet edhe një përforcim, me shpresën se nuk do të jetë një operacion tjetër i dështuar, si ai me malazezin Stefan Nikoliç, i cili erdhi në Shqipëri dhe u largua pa shkelur mirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb