SHBA

Elez Biberaj nuk do të jetë më në krye të Zërit të Amerikës ku ishte emëruar drejtor në detyrë. Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM) emëroi autorin dhe diplomatin Robert Reilly si drejtor të ri të Zërit të Amerikës, pozitë që ai e ka pasur nga viti 2001 deri në 2002, ndërsa Biberaj thotë në një deklaratë se do të kthehet në pozicionin e tij si drejtor i sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës pasi të vinte drejtori i ri.

Biberaj i cilëson 6 muajt e fundit, periudha me sfidat më të vështira në dekada.

MESAZHI I PLOTË

Kolegë të nderuar,

Koha gjatë së cilës kam qenë Drejtori juaj në Detyrë po përfundon. Ju mund të keni parë artikuj në shtyp ku njoftohet se Shefi Ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Michael Pack, do të sjellë një drejtor të ri të Zërit të Amerikës. I uroj drejtorit të ri sukses në përmbushjen e misionit të Zërit të Amerikës.

I jam thellësisht mirënjohës zotit Pack për mundësinë për të shërbyer, po ashtu edhe ish-zyrtarit të USAGM, André Mendes, që më rekomandoi për këtë detyrë të rëndësishme.

Kur u emërova Drejtor në Detyrë, u zotova se do të bëja çmos për të respektuar Kartën e Zërit të Amerikës dhe për t’iu përmbajtur standardeve më të larta të gazetarisë. Kam bërë çdo përpjekje për ta përmbushur këtë zotim, duke mbrojtur integritetin editorial të Zërit të Amerikës dhe murin që e ndan atë nga ndërhyrjet e mundshme politike. Së bashku me kolegë të tjerë në poste drejtuese, kemi marrë masa për të forcuar procedurat editoriale, në mënyrë që raportimet tona të jenë të bazuara në fakte, të ekuilibruara dhe pa paragjykime.

Gjashtë muajt e kaluar kanë qenë mbase periudha me sfidat më të vështira në historinë e dekadave të fundit të Zërit të Amerikës. Për fat të keq, Zëri i Amerikës dhe USAGM kanë pasur përplasje të shpeshta gjatë kësaj periudhe. Disa zyrtarë të agjencisë shkelën rregulla, protokolle dhe procese, që unë i konsideroj si të paprekshme dhe ishin mospërfillës ndaj dëmit që veprimet dhe vendimet e tyre patën tek operacionet dhe misioni i Zërit të Amerikës. Përpjekjet për të shkelur pavarësinë e gazetarëve të Zërit të Amerikës vunë në rrezik besueshmërinë tonë të fituar me shumë mund, në një kohë kur demokracia në shkallë globale ka bërë hapa pas dhe kur në mbarë botën janë shtuar kërcënimet ndaj vlerave dhe rolit të Amerikës si mbartësja e vlerave morale.

Unë kam bindjen se Zëri i Amerikës ka nevojë të ngutshme të mbrojë fort pavarësinë e tij editoriale të sanksionuar me ligj, pa presione politike, dhe në të njëjtën kohë, të respektojë standardet e veta për një gazetari me cilësi të lartë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë. Vetëm atëherë Zëri i Amerikës mund të shërbejë me të vërtetë si një zë i Amerikës dhe të çojë përpara në mënyrë të efektshme objektivat tona të politikës së jashtme, të nxisë vlerat tona demokratike dhe të shërbejë si model i një shtypi të lirë për pjesën tjetër të botës.

Ky nuk është një mesazh lamtumire. Sapo drejtori i ri i Zërit të Amerikës të fillojë punën, unë do të kthehem në pozicionin tim të mëparshëm si Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë.

Ka qenë një nder dhe privilegj të drejtoja Zërin e Amerikës gjatë kësaj periudhe të trazuar, por historike. Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë, për mbështetjen, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj në misionin tonë fisnik.

Me respekt,

Elez Biberaj

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb