GJENEVË

Ka përfunduar Forumi i parë Global i Refugjatëve në Gjenevë, ndërsa Agjencia e Refugjatëve e OKB-së (UNHCR) tha se indikacionet fillestare tregojnë se janë bërë zotime për një fond prej mbi 7,7 miliardë dollarësh në total për të përmirësuar jetën e refugjatëve.

“Mbështetja publike për azilin është lëkundur vitet e fundit dhe në shumë raste, komunitetet që presin refugjatët janë ndier të mbingarkuar ose të harruar”, tha në një deklaratë Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi në fund të konferencës, e cila u bashkëkryesua nga Turqia.

“Në këtë forum, ne kemi dëshmuar një zhvendosje vendimtare drejt pikëpamjes afatgjate”, ka shtuar Grandi.

Sipas UNHCR-së, mbi 4,7 miliardë dollarë janë premtuar nga Grupi i Bankës Botërore përmes një platforme të veçantë të financimit për refugjatët dhe komunitetet pritëse, si dhe një platforme të veçantë financimi për të forcuar sektorin privat dhe krijimin e vendeve të punës te refugjatët dhe komunitetet pritëse.

Në deklaratë, në të cilën theksohet se në botë gjenden 25,9 milionë refugjatë, thuhet se një njoftim i ngjashëm për një miliard dollarë ka ardhur nga Banka Ndër-Amerikane e Zhvillimit.

Për më tepër, “një gamë e gjerë shtetesh” dhe palëve të tjera të interesuara kanë premtuar mbështetje financiare për refugjatët dhe komunitetet e tyre pritëse në vlerë prej mbi dy miliardë dollarësh.

“Qëllimi është forcimi i ndjeshëm i mbështetjes për përfshirje dhe nevoja për zhvillim afatgjatë te komunitetet pritëse”, tha UNHCR.

Përveç premtimeve humanitare dhe zhvillimore, më shumë se 250 milionë dollarë janë premtuar po ashtu nga grupet e biznesit.

Grandi ka shtuar se forumi, me 3.000 pjesëmarrës të regjistruar, ishte ngjarja më e madhe që UNHCR ka arritur ta organizojë në historinë e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në ditën e dytë të Forumit Global të Refugjatëve në Gjenevë kishte theksuar se “Zhvendosja e detyruar globale është rritur në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb