Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për media në fund të mbledhjes së Kryesisë, duke thënë se opozita e bashkuar do të fokusohet te ringritja ekonomike.

Nga selia e PD, Basha u shpreh se opozita do t’i fitojë këto zgjedhje dhe do iu kthejë ekonominë shqiptarëve, pasi kjo qeveri ka zhvatur Shqipërinë. Më tej, ai shtoi se PD dhe opozita e bashkuar do të paraqesin platformën ekonomike kudo në Shqipëri.

“Mirdita të dashur përfaqësues të medias! Të dashur bashkëqytetarë! Sfida më e madhe e çdo familje, sfida e madhe e çdo shqiptari sot është kriza ekonomike. Dhe kjo sfidë nuk mund të zgjidhet nga ata që e shkaktuan këtë krizë të thellë ekonomike duke e varfëruar, zhvatur dhe taksuar Shqipërinë në këto 7 vite. Ndaj e gjithë vëmendja jonë, i gjithë fokusi ynë, i gjithë përqendrimi ynë tani është tek e ardhmja. Është te një ekonomi e fortë dhe një Shqipëri e fortë.

Ndaj Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar janë të vendosur të paraqesin platformën ekonomike, ta konsultojmë atë kudo nëpër Shqipëri. Ne do ti fitojmë zgjedhjet sëbashku me shqiptarët, do ti kthejmë qeverisjen vendit dhe do të kemi në fokusin tonë ringritjen ekonomike dhe ndërtimin e një ekonomie të fortë për shqiptarët që të prodhojë mirëqenie dhe vende pune.

Ky do të ketë përqendrimi i të gjithë energjive tona, ne nuk do të humbasim asnjë sekondë me gropat dhe kurthet e një qeverie të dështuar në largim, por do të përqendrojmë të gjithë energjinë tonë, të Partisë Demokratike, të aleatëve tanë, të Opozitës së Bashkuar, tek fitorja e zgjedhjeve të ardhshme dhe zgjidhja e krizës së rëndë ekonomike duke ofruar planin tonë, masat tona shqiptarëve dhe duke ndërtuar bashkë me shqiptarët rrugën e daljes nga kjo krizë, për t’jua kthyer ekonominë dhe Shqipërinë, shqiptarëve. Ju faleminderit!”, tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb