Në përfundim të stërvitjes “Mirdita 2016”, në Livadhet e Sheshajve u zhvillua Dita e Vizitorëve të Shquar. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, kryetari i Bashkisë Rrëshen, Ndrec Dedaj, kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Dedë Prenga ushtarakë dhe banorë të zonës.

Qëllimi i stërvitjes “Mirdita 16” ishte aftësimi dhe koordinimi i strukturave të Komandës Mbështetëse, nëpërmjet veprimtarive të drejtpërdrejta operacionale, rritja e mëtejshme e nivelit të bashkëpunimit me pushtetin lokal në rastet e emergjencave civile. “Mirdita 16” vjen menjëherë pas ndërtimit të një ure “bailey” në Klos, dhe gjatë periudhës gati 1 – mujore të zhvillimit të kësaj stërvitjeje, efektivët e Komandës Mbështetëse kontribuuan në hapjen e një rruge rreth 16 km nga Jezulli në Ulëz. Gjithashtu, në bashkëpunim me Bashkinë Mirditë, firmat private dhe donatorë lokalë, efektivët e KM dhuruan bazë materiale për institucionet arsimore, si dhe ndihmuan disa nga familjet në nevojë në këtë zonë.

Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli në fjalën e saj u shpreh: “Ndihem tepër e nderuar dhe mund të them me plot bindje se stërvitja e parë e këtij lloji, pas shumë e shumë vitesh, është thjesht dhe vetëm një sukses i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Ajo tha se kjo stërvitje ishte një mbështetje e mirë edhe për qendrën stërvitore të Bizës, e cila do të mirëpresë në shtator të këtij viti stërvitjen e madhe “Joint Effort 2016” me pjesëmarrjen e FA shqiptare, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Italisë dhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Në vijim ministrja Kodheli falenderoi të gjithë ata që ndihmuan në shpërndarjen e ndihmave, donatorët të cilët sollën ndihma për t’ju shpërndarë komunitetit, të gjithë ushtarakët që dhuruan gjak për spitalin dhe të gjithë ata që realizuan një stërvitje kaq të suksesshme. Në fund të fjalës së saj, zonja Kodheli falenderoi edhe qytetarët të cilët i’u bashkuan përmbylljes së stërvitjes: “Me shpresën që punë të tjera më të mëdha do të na dalin përpara, suksese më të mëdha do të kemi”, përfundoi ajo.

Komandanti i Komandës Mbështetëse, kolonel Fatmit Lokaj, në fjalën e tij u shpreh se Komanda Mbështetëse ka kryer një sërë operacionesh në ndihmë të komunitetit dhe mbështetjen e autoriteteve, në ndërtimin e urave “bailey”, me rehabilitimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndihmën në emergjencat civile, identifikimin, transportimin dhe asgjësimin e municioneve të gjetura në të gjitha njësitë vendore të Republikës së Shqipërisë, si dhe mbështetjen që i është dhënë Inspektoratit Kombëtar për prishjen e objekteve të paligjshme.

Kjo stërvitje nuk kaloi pa u përshëndetur edhe nga dy kryetarët e Bashkive Rrëshen dhe Mat, të cilët përcollën mirënjohjet dhe falenderimet jo vetëm të tyre, por edhe të banorëve që ata përfaqësojnë, për ndihmën e dhënë nga FA. Stërvitja “Mirdita 2016” është një stërvitje e kombinuar me trupa, e para e këtij lloji, ku strukturat e Komandës Mbështetëse nën drejtimin e Detashmentit CIMIC, elementët e Batalionit të Xhenios dhe Batalionit të Furnizimit kombinohen në veprimtari ndihmuese për komunitetin e zonës së Mirditës dhe Matit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: