SHKUP –Ka përfunduar pa marrëveshje takimi i sotëm mes katër liderëve në Maqedoni, Gruevski, Zaev, Ahmeti dhe Thaçi. Pak pas përfundimit të pjesës së parë të takimit të dytë partia opozitare LSDM bëri me dije se qeveria kalimtare do të jetë pa kryeministrin Gruevski.

Burime nga partia e Zaevit theksuan se i qëndrojnë akoma kërkesës së tyre për dorëheqje të tërë qeverisë, dhe pastaj formimit të qeverisë kalimtare pa Nikolla Gruevskin me të cilën do të përfundojë korniza për dialogun.

Sipas LSDM, propozimi i Ahmetit në takimin e sotëm ka qenë si në takimin paraprak, i vendosur në formë të shkruar, me të cilën propozohet rinovim i qeverisë dhe formim i grupeve punuese me të cilat do të shqyrtoheshin kërkesat tjera të opozitës. Nga ana tjeter, LSDM nuk i pranoi grupet e tilla të punës, pasi është e mendimit se nuk kanë legjitimitet politik. Sakaq, opozita ka kërkuar dialog politik për krijimin e qeverisë teknike.

ZAEV: NESËR NË STRASBURG PËR PROPOZIMET E REJA
Nuk është arritur përparim pas takimit të dytë të liderëve në Maqedoni, i cili zgjati vetëm pak minuta. Gjatë një deklarate për mediat, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se bisedimet për të pasur sukses duhet që të vërtetohen parimet e bisedimit, të sigurohet barazia nga të gjitha palët në tavolinë dhe garancia se ajo që do të kontraktohet me të vërtet do të respektohet.

“Në tavolinë u vendos propozim i temave për bisedime nga BDI-ja, por nuk i hapëm temat pasi që fillimisht duhet vërtetuar principet, barazia dhe të sigurohen garanci. Është e dukshme se përparim nuk ka, por së paku caktuam edhe një takim me 26 maj”, tha Zaev. Ai la hapësirë për propozime të reja për takimin e tij të nesërm në Strasburg me propozime të dalin edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian. Ato propozime do të rishikohen me 26 maj, sqaroi Zaev.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: