TIRANE– Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka deklaruar sot se ka përfunduar përkthimi i dosjes ‘Habilaj’ që kishte mbërritur nga autoritetet italiane dhe pritet t’i dërgohet sot Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Gjatë një aktiviteti ku merrte pjesë, ministrja është shprehur se për përkthimin e dosjes voluminoze me mbi 1800 faqe, Ministria e Drejtësisë kishte 10 ditë kohë dhe ka zbatuar rregulloren.

“Sot jemi në ditën ndërkombëtare të fëmijëve dhe nuk dua të ngatërrohemi me dosje. Ne kemi kryer të gjitha procedurat sipas ligjit dhe besoj sot do t’ia transmetojmë Prokurorisë. Dosja na ka ardhur para gati dhjetë ditësh. Ka përfunduar përkthimi dhe do ta dorëzojmë sot”, tha Gjonaj.

Arrestimi i Habilajve në Siçili shkaktoi tërmet politik në Shqipëri, pasi në përgjimet e autoriteteve italiane sipas opozitës përmendej edhe emri i ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri si i implikuar në bandën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Prokuroria shqiptare kërkoi heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-ministrit Tahiri, por mori leje vetëm për kontroll personal dhe banese. Dosja “Habilaj” në Itali hapi në Shqipëri çështjen “Tahiri”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: