ELBASAN- Përfundon me sukses procesi i asgjësimit të municioneve të tepërta, të panevojshme dhe jashtë nevojave të Forcave të Armatosura. Me këtë rast, në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit, u organizua një ceremoni e veçantë, ku mori pjesë ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ushtarakë të lartë të FA-së etj.

Ndodheshin gjithashtu edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, atashe ushtarakë të vendeve të NATO-s të akredituar në vendin tonë etj.

Ministrja Kodheli në fjalën e saj në këtë ceremoni vlerësoi punën dhe angazhimin disa vjeçar për përmbylljen me sukses të sfidës madhore për asgjësimin e municioneve të tepërta, jashtë nevojave të FA-së dhe pa vlera përdorimi e financiare.

“Shkatërrimi i municioneve të tepërta është arritje e rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe për sigurinë e stabilitetin rajonal. Këto municione ishin një bombë me sahat, e cila prej dekompozimit apo vetëndezjes një ditë mund të shpërthenin dhe dëmtonin popullsinë dhe mjedisin”, – theksoi ministrja Kodheli. Me këtë rast ajo falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces dhe shprehu mirënjohjen e thellë të saj për angazhimin, përkushtimin dhe punën e bërë ndër vite për demilitarizimin nga të gjithë aktorët, strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës Mbështetëse, specialistët dhe punëtorët e uzinave të demontimit në Mjekës, Gramsh e Poliçan, për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme. Gjithashtu, ministrja Kodheli theksoi se ky proces do të ishte i pamundur pa asistencën e donatorëve ndërkombëtarë, të cilët na mbështetën me pajisjet dhe makineritë e duhura, trajnimin e personelit dhe financimin e procesit të demontimit.

Në përfundimit të fjalës së saj ministrja Kodheli tha: “Suksesi në këtë proces na bën të ndihemi krenarë që kemi përmbushur një prioritet të rëndësishëm dhe kemi çliruar vendin tonë nga një rrezik për sigurinë e vendit tonë dhe rajonit. Si vend aleat i NATO-s dhe kandidat për BE, edhe në këtë mënyrë, ne po kontribuojmë jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ambientit ku jetojmë”.

Më pas, ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe autoritetet e tjerë vizituan nga afër repartet dhe ambientet e kësaj uzine.

Procesi i asgjësimit të municioneve të tepërta dhe jashtë përdorimit në Forcat tona të Armatosura ka qenë një proces sa i vështirë dhe i rrezikshëm, aq edhe i rëndësishëm për rritjen e sigurisë në vendin tonë, por edhe më gjerë. Ky proces ka filluar në vitin 2001 dhe ka vijuar për disa vite rresht. Vetëm gjatë periudhës 2009-2015 janë asgjësuar 100.807 tonë municione të tepërta, nga të cilat 27.323 janë demontuar nga kompania AME, 25.740 nga Uzina e Mjekësit, 23,450 nga Kombinati i Poliçanit, 6.512 nga Uzina e Gramshit, ndërsa 17.873 nga MEIKO. Krahas punës, angazhimit dhe përkushtimit maksimal të strukturave përkatëse të FA, asgjësimi i municioneve të tepërta u realizua edhe falë mbështetjes financiare që donatorë të huaj nga NATO, OSBE etj dhanë përgjatë realizimit të këtij procesi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: