Në Maqedoninë e Veriut votimet për zgjedhjet lokale kanë zgjatur deri në orën 19:30.

Kjo u bë me vendim të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për t’i mundësuar votimin të gjithë personave, të cilët të drejtën e votës nuk e realizuan deri në orën 19.00 e ndërkohë prisnin në radhë pranë qendrave të votimit.

Procesi i votimi është zgjatur për 30 minuta, kryesisht për shkak të problemeve teknike lidhur me votimin biometrik.

Sipas KSHZ-së, deri në orën 18:30 minuta në votime kanë dalë 49.29 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, apo 697,637 qytetarë nga 1.8 milion me të drejtë vote.

Pjesëmarrje më e lartë është regjistruar në komunën e Vevçanit, prej rreth 73 për qind ndërsa më e ulët në komunat me shumicë shqiptare në pjesën perëndimore të vendit, edhe atë mes 30 dhe 40 për qind.

Procesi zgjedhor është zhvilluar kryesisht i qetë dhe pa incidente që do të prishnin rrjedhën e votimit.

Konferenca për media e radhës e KSHZ-së është paralajmëruar për në orën 21:00.

Në votimet e ditës së diel qytetarët kanë zgjedhur kryetarët e 80 komunave dhe të këshillave komunalë si dhe Shkupin me dhjetë komuna, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Për kryetarë të komunave garuan 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.

Gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike; LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Partitë shqiptare garën e zhvilluan për qytetet me shumicë shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibër si dhe disa komuna rurale.

Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi dhe komunat tjera më të vogla/ REL.

(balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: