TIRANE– Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të kopshtit 25 në Njësinë 5, duke e çuar kështu në 14 numrin total të kopshteve të rikonstruktuara deri tani në të gjithë Tiranën.

Punimet e realizuara nga donatorët u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi pa kushtet që ofron kopshti për fëmijët, theksoi se ky është standardi i të gjitha punëve që Bashkia e Tiranës po bën në kryeqytet, në mënyrë të veçantë në infrastrukturën arsimore.

“Besoj se kemi ndërtuar një model që ia vlen të imitohet, sipas të cilit këtë vit po rikonstruktojmë 23 kopshte, ndërsa vjet rikonstruktuam 31 çerdhe. Më vjen mirë që jo vetëm është punuar në infrastrukturë, por edhe është ndërtuar një model që ia vlen të imitohet nga një brez i ri”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Më tej, ai garantoi se ashtu siç edhe është premtuar, në javët në vazhdim do të mbarojnë së rikonstruktuari të gjitha kopshtet e tjera, në mënyrë që nisja e sezonit të ri arsimor t’i gjejë fëmijët në ambiente dinjitoze dhe të sigurta.

Sipas Bashkisw sw Tiranws, “në kopshtin 25 janë bërë të gjitha punimet elektrike e hidraulike, duke larguar të gjithë lagështirën që vinte si nga ujërat e shiut nëpërmjet fasadës, ashtu edhe nga tualetet. Janë ndryshuar të gjitha veshjet dhe shtrimi i pllakave, është bërë veshja me laminat, janë shtuar ambientet e reja kryesisht me konstruksionin metalik në katin e dytë, e cila është kthyer në dhomë loje, si dhe është shtuar dhoma e psikologut. Po ashtu janë zëvendësuar dritaret e dëmtuara dhe janë rivendosur xhamat. Në ambientet e jashtme është vendosur ndriçimi dhe është bërë sistemimi i gjithë oborrit”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: