TIRANE- Të gjitha kopshtet në Tiranë, si në qendër ashtu edhe në periferi, ofrojnë të njëjtat kushte cilësore për fëmijët e kryeqytetit. Ky është synimi i Bashkisë së Tiranës, e cila nëpërmjet nismës “Adopto një kopsht” ka mundur të rikonstruktojë tërësisht edhe kopshtin nr. 38 në Kombinat. Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet e kryera në këtë ambient të ri për fëmijët, theksoi se bashkia po punon për të ofruar të njëjtin standard për çdo fëmijë të Tiranës.

“Më vjen mirë që kemi sjellë të njëjtin standard, për të treguar që fëmijët e Tiranës janë njësoj të çmuar, si ata që kanë lindur në periferi, ashtu edhe ata në qendër”, tha Veliaj.

Sipas kryebashkiakut, të gjitha statistikat tregojnë se mënyra se si rriten fëmijët deri në moshën 5-vjeç përcakton mënyrën se si ata do të rriten dhe do të jetojnë në 50 vitet e ardhshme, ndaj dhe kujdesi ndaj këtij brezi është shumë i rëndësishëm. “Më vjen mirë që po ngrejmë baza të shëndosha, nuk po mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, por po mendojmë për gjeneratën tjetër. Kjo është më e dobishme në jetën e një qyteti se çdo vendimmarrje tjetër”, tha ai.

Veliaj deklaroi se tashmë kanë mbetur dhe vetëm 4 kopshte për të përmbushur premtimin e dhënë që ky vit arsimor t’i gjejë të gjitha kopshtet e Tiranës me të njëjtat standarde, ndërkohë që më pas fokusi i bashkisë do të kalojë te ndërtimi i shkollave.

“Kemi edhe 4 kopshte, të cilat do t’i realizojmë bashkë me donatorët tanë të “Adopto një kopsht” deri në fund të javës, për të siguruar që viti i ri shkollor i gjen të gjitha kopshtet e Tiranës në të njëjtin standard. Me të mbaruar procesin e kopshteve, do të vazhdojmë me shkollat, duke ndjekur kështu një vijë logjike, nga më të vegjlit, çerdhet, pastaj kopshtet, pastaj shkollat”, tha kryetari i Bashkisë.

Veliaj solli në vëmendje se shkolla e dytë e re do të ngrihet pikërisht në këtë zonë, në kuadër të nismës për ndërtimin e plot 20 shkollave të reja, të cilat do të mund t’i japin zgjidhje përfundimtare çështjes së shkollave me dy turne.

“Këtu në Kombinat do të kemi disa investime. Shkolla e dytë, nga 20 shkollat e reja që po bëjmë në Tiranë, sapo ka filluar në Kombinat, pra pas “Hoxha Tahsinit”, është shkolla “Betim Muço”. Pastaj do të vazhdojmë me 18 shkollat e tjera, për t’u siguruar që herën tjetër kur të mblidhemi në prag shkollor, jemi duke zgjidhur përfundimisht çështjen e mësimit me dy turne, që kur princeshat dhe princërit tanë të shkojnë në shkollë, të kenë të njëjtin standard siç e kanë këtu në kopsht”, deklaroi kryebashkiaku.

Investimi i bërë në ambientet e kopshtit nr. 38, që ndodhet në “Rrugën e Qelqit” në Kombinat ka sjellë një mjedis të pastër për fëmijët, pa lagëshirën që ishte kthyer në problem të vazhdueshëm për të vegjlit. Rikonstruksioni i plotë i sistemit elektrik dhe hidraulik ka bërë të mundur që çdo ambient i këtij kopshti të ketë cilësinë e duhur, ndërkohë që edhe kuzhina, dhoma e ndenjes apo dhomat e gjumit tani kanë një pamje të re.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb