TIRANË

Një nga shkollat emblematike të kryeqytetit, “Ali Demi”, ku mësojnë mbi një mijë nxënës të ciklit 9-vjeçar, është rikonstruktuar dhe është gati të mirëpresë nxënësit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e plotë të kësaj shkolle, e cila është gati të presë maturantët, në rast se do të jetë e nevojshme, gjatë tre javëve që ata do të rikthehen në klasa për të përfunduar vitin shkollor.

“Shkolla ‘Ali Demi’ është transformuar totalisht, është një nga shkollat më moderne të Tiranës. Më pëlqen të rikthehem në Rr. ‘Ali Demi’, me gjithë ndryshimet që kemi bërë ndër vite këtu, duke filluar me rikonstruksionin e shkollës ‘1 Maji’ në fillim të rrugës, pastaj rrugën nga këtu deri tek “Ali Shefqeti” në Shkozë. Apo edhe të gjitha lagjet ku kemi vënë dorë, nga Kryegjyshata te “Dhimitër Kamarda”. Më vjen mirë që rikthehem në një damar të rëndësishëm të Tiranës, por tani në një shkollë që është bërë thuajse nga e para”, tha Veliaj.

Shkolla ka ndriçim LED, kamera sigurie, ventilatorë, sistem ngrohjeje, sistem alarmi e impiant uji, si dhe një palestër krejtësisht të re. Pas dezinfektimit të sotëm, shkolla është gati për zhvillimin e mësimit, në varësi të vendimit të Ministrisë së Arsimit. Veliaj tha se sot ka përfunduar dezinfektimi edhe i shkollave të tjera në kryeqytet. “Në kushtet ku jemi sot, lipset të përgatitemi nëse ministrisë do të duhet t’i përdorë mjediset shkollore edhe për maturantët, që do të shpërndahen në disa shkolla të ndryshme të qytetit. Nëse jo, atëherë do të vazhdojmë me dezinfektimin. Në momentin që shkolla dezinfektohet, ajo quhet e vulosur. Sot e kemi përfunduar dezinfektimin e shkollave. Nëse do të duhet të vendosim edhe tunele dezinfektimi në hyrje të tyre, jemi gati”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se puna do të vijojë edhe për ndërtimin e shkollave të reja apo rikonstruksionin e atyre ekzistuese. “Planet nuk ndalen këtu, por do të vazhdojmë me ndërtimin e shkollave të reja edhe në zonën e ‘Ali Demit’, ‘Mihal Gramenos’, ‘Rrugës e Elbasanit’, po ashtu edhe në Shkozë, edhe në ‘Qytetin Studenti’. Ndërkohë, vijojmë me investimet në shkollat si te ‘Don Bosko’, ashtu edhe te Instituti Bujqësor te ‘Nënë Tereza’ dhe ‘John F. Kennedy’. Rikthimi pas pandemisë në shkolla me më shumë hapësira, duke ulur ndjeshëm qarkullimin e nxënësve që shkojnë në një shkollë më të largët, na bën më të përgatitur”, tha Veliaj.

Duke i garantuar prindërit për cilësinë e mësuesve që përzgjidhen nga sistemi, ai kërkoi bashkëpunimin e prindërve që të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat më pranë banesës, duke kursyer kohë dhe ulur numrin e nxënësve nëpër klasa. “Na duhet pak punë me prindërit, që të kuptojnë se mësuesit më të mirë po vijnë sipas radhës në portal. Mjafton të shohim renditjen që po ndodh çdo vit dhe si ndryshon, do të thotë që mësues të mirë dhe nxënës me dhjeta paska kudo. Është vetëm çështje sa ta kuptojnë të gjithë dhe të mos i rikthehemi huqeve të vjetra”, theksoi kryebashkiaku.

Zona e lagjes “Ali Demi” ka pësuar një transformim të thellë, duke filluar nga rruga kryesore, tek blloqet e pallateve dhe shkollat, nga shkolla “1 Maji” deri te ato më pranë Lanabregasit dhe Shkozës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb