GJENEVA

Ka përfunduar pas disa orësh Samiti në Gjenevë që kulmoi me takimin mes Biden dhe Putin. Liderët e SHBA dhe Rusisë kanë mbyllur dhe raundin e dytë të bisedimeve. Samiti u nda në dy pjesë, takimi i parë një sesion i vogël, dhe i dyti me delegacione më të gjerë.

Lajmi është bërë i ditur për mediat amerikane nga një zyrtar i Shtëpisë të Bardhë, ndërkohë ka dyshime nëse ky është fundi i këtij Samiti ose jo. I pari që u largua nga vila në Gjenevë ku po zhvillohet takimi ishte Biden.

Tashmë pritet që pas 4 orësh takim, dy Presidentët të japin konferenca të ndara për shtyp teksa ky ishte takimi i parë mes tyre si homologë.

Takimi Putin-Biden erdhi pas akuzave të forta që bëri Presidenti i SHBA muajt e kaluar pasi u informua nga Inteligjenca e SHBA se Rusia kishte tentuar të ndërhyjë në fushatën për zgjedhjet presidenciale. Madje Biden e cilësoi Putinin ”vrasës” ndërkohë nuk kanë munguar edhe konfliktet që kur ndryshoi Presidenca amerikane.

Biden ishte në Europë në vizitën e tij të parë ndërkombëtare për disa ditë duke marrë pjesë në Samitin e G7, Samitin e NATO-s si dhe takimin e Gjenevës me Vladimir Putin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb