Ka përfunduar takimi i Grupit Punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian, ku në rend të ditës ishte diskutimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Presidenca çeke e BE-së ka thënë se shteti i Kosovës i ka përmbushur dhe vazhdon t’i përmbushë kriteret për liberalizim të vizave.

“Më 13 tetor, Grupi Punues për vizat i Këshillit të BE-së e ka mbajtur diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën çeke. Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e përditësuar teknik për këtë temë i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave.

Grupi i Punës përshëndeti gjerësisht rihapjen e diskutimit mbi subjekt dhe në përgjithësi mbështeti procesin e liberalizimit të vizave. Për të përparuar në këtë çështje do të jetë e nevojshme të sqarohen një sërë temash të lidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës çeke.

Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, Radio Evropa e Lirë merr vesh se është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: