TIRANE

Ka përfunduar sot testimi fizik për pranimin në “Kolegjin e Policisë” për Patrullë të Përgjithshme. Mësohet se ky testim u zhvillua në ambientet e Komandës së Forcave Speciale, Zall Herr, Tiranë, që prej datës 5 deri ditën e sotme.

Në përfundim të fazës së dytë, atë të testimit fizik, drejtori i Kolegjit të Policisë Ylli Vasili, theksoi se ky proces po vijon normalisht, transparent dhe pa kontestime, si dhe nën monitorim nga SHÇBA-ja, Standardet profesionale dhe PAMECA.

“Sot ishte dita e fundit e zhvillimit të testit fizik për aplikantët të cilët kanë rezultuar fitues në anën teorike dhe ne me kënaqësi vërejmë se ky test është zhvilluar me paanshmëri, me objektivitet dhe duke i dhënë shanse të barabarta gjithsecilit prej aplikantëve. Në testin fizik kanë marrë pjesë gjithsej 561 aplikantë dhe nga këta rreth 400 janë fitues. Ky proces është monitoruar edhe nga Drejtoria e Shërbimeve të Çështjeve të Brendshme të Ministrisë së Brendshme, nga Drejtoria e Standardeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si edhe nga misionet e huaja si Pameca. Nga aplikantët nuk kemi patur asnjë lloj kontestimi në mënyrën e organizimit dhe zhvillimin e garave ndërmjet disiplinave të ndryshme. I uroj suksese gjithsecilit prej aplikantëve edhe në testin psikologjik dhe atë të intervistës për të vazhduar kolegjin e Policisë”, tha Ylli Vasili.

Faza e tretë është ajo e testimit psikologjik, ku Akademia e Sigurisë ka marrë të gjitha masat për zhvillimin sa më normal, korrekt e transparent të këtij procesi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb