Në dallim nga dy sezonet e shkuara, Partizani do ta kryejë jashtë vendit fazën përgatitore dimërore, e cila do të zhvillohet në një periudhë 12-ditore. Këtë periudhë përgatitore të kuqtë kanë vendosur që ta zhvillojnë në Antalia të Turqisë nga data 5 janar deri më 17 janar 2017.

Përpos përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit, parashikohet që “demat e kuq” të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore gjatë periudhës që do të qëndrojnë në Antalia.
Për momentin janë siguruar dy teste: më 11 janar të kuqtë do të ndeshen me Fenerbahçen, ndërsa dy ditë më pas me azerët e Gabalas. Partizani do të përballet me turqit e Fenerbahçes pas 20 viteve, pasi për herë të fundit janë ndeshur në 1996-ën në Kupën UEFA. Të kuqtë janë mundur në të dy ndeshjet me gjigantët nga Stambolli, 4- 0 dhe 2-0.

Përveç kushteve të favorshme në këtë periudhë, skuadra e trajnerit Starova do të ketë mundësi që të masë forcat edhe me skuadra elitare në ndeshje miqësore. Përpos këtyre dy ndeshjeve, mund të kryhet edhe ndonjë miqësore tjetër, pasi në këtë periudhë në Antalia do të përgatiten edhe klube të tjera shqiptare.(panoramasport)

(balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb