Përgatitjet për Festën e Birrës, festa verore përmasat e së cilës tashmë e tejkalojnë Shqipërinë, po shkojnë drejt fundit. Nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, që është organizatorja e kësaj feste të përvitshme, Benila Terova thotë në një intervistë për News24, se festa e Birrës këtë verë do të zhvillohet në dy pole të qytetit, në sheshin e pazarit dhe tek terminali i ri i autobusëve ku do të marrin pjesë mbi 10 lloje birrash.

“Festa e Birrës do të jetë në dy pole. Festa do të bëhet në terminalin e autobusëve dhe sheshin e pazarit të Korçës, me diversitet të llojit të muzikës, këngëtarë dhe llojit të birrës që marrin pjesë. Janë mbi 10 lloje birrash që marrin pjesë në këtë festë”, tha Terova.

Ky vit shënon 15-vjetorin e festës së Birrës, e cila mbledh në Korçë vizitorë shqiptarë e të huaj. Festa do zgjasë 5 net, nga data 18 deri në 22 gusht, ditë gjatë të cilave do të zhvillohen 10 koncerte. Në spektaklet e organizuara do të marrin pjesë këngëtarë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe këngëtarë të huaj.

“Në 5 net, nga 18 deri në 22 do organizohen 10 koncerte, 2 koncerte në ditë. Do kemi emrat më të njohur muzikës shqiptare dhe Kosovës dhe Maqedonisë. Do kemi një bandë muzikantësh nga Greqia, Brazili. Gjeografinë e këngëtarëve e kemi pasur shumë të gjerë në të gjitha festat e birrës. Festa e birrës nga një festë lokale është kthyer në një festë e të gjithë shqiptarëve në një festë e të gjithë hapësirës mbarëshqiptare, festë ballkanike. Synimi është që të kthejmë festën e birrës në një festë ndërkombëtare”, u shpreh Terova.

Në natën finale të festës së birrës do të përformojë edhe këngëtari serbo-boshnjak i njohur ndërkombëtarisht, Goran Bregovic, ftesa për të cilin nga bashkia e Korçës ka ngjallur polemika të shumta në rrjete sociale. Nënkryetarja e bashkisë Korçë thotë se ky institucion refuzon të përfshihet në një debat që tenton të politizojë festën e birrës. Ajo thotë se qëllimi është ndërkombëtarizimi i festës, ku t’i këndohet paqes e harmonisë, për t’i lidhur dhe jo për t’i ndarë popujt.

“Për sa i takon debatit, bashkia e Korçës refuzon të përfshihet në një debat që tenton të politizojë festën e birrës. Festa e birrës është një festë masive e të gjithë shqiptarëve e cila synon respektimin e promovimin e diverstitetit kulturor etnik të popujve të Ballkanit. Festa i këndon paqes harmonisë që lidhin dhe jo ndajnë popujt. Vlerësimin për këngëtarin nuk mund ta bëjmë ne. Se kush është Bregoviç, mjafton të klikosh, vlerësimi profesional nuk i takon bashkisë Korçë”, shprehet ajo.
Pas një viti të vështirë për shkak të pandemisë, bashkia e Korçës thotë se këtë vit pjesëmarrja në festën e Birrës do të jetë më e lartë, nisur edhe nga shifrat e shërbimeve akomoduese në këtë qytet për datat kur do të zhvillohet ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb