Një ngjarje e rëndë është shënuar në Spanjë, ku një i ri ka sulmuar disa persona me hanxhar, në dy kisha të qytetit Algeciras, ku ka mbetur i vdekur një 74-vjeçar.

Autoritetet spanjolle janë duke hetuar ngjarjen si një akt “terrorist”, ku atentatori ka rënë në pranga, por identiteti i plotë i tij nuk është bërë ende i ditur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të ditës së djeshme, ku mbetën të plagosur disa klerikë, përkatësisht në kishat San Isidro dhe Nuestra Senora de La Palma.

Sipas policisë, sulmuesi fillimisht hyri në kishën San Isidro dhe sulmoi Rodriguez, ku më pas shkoi në Nuestra Senora de La Palma ku dëmtoi pronën përpara se të sulmonte një tjetër person.

Edhe pse policia spanjolle nuk e ka bërë publik identitetin e autorit, mediat vendase shkruajnë se sulmuesi është një 25-vjeçar maroken.

Nga ky sulm humbi jetën një sakristan në kishën Nuestra Senora de La Palma, i quajtur Rodriguez, ndërsa një prift i kishës së San Isidro, Antonio Rodriguez, është në mesin e të plagosurve dhe në gjendje kritike për jetën.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e sulmit të tmerrshëm në Twitter, ndërsa kryetari i bashkisë së Algeciras, ka shpallur një ditë zie në qytet, në nder të viktimë dhe të plagosurve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb