Katastrofat janë ngjarje të rralla por me një impakt të lartë në jetën e shumë njerëzve. Ato  mund të jenë fatkeqësi natyrore ose të shkaktuara nga dora e njeriut. Shumë katastrofa  nuk mund të shmangen, veçanërisht katastrofat natyrore, gjithësesi efektet e tyre  ekonomike dhe sociale mund të zbuten nëpërmjet një manaxhimi të mirë dhe parandalimi.

Sigurimi i pronës ndikon në jetën e gjithkujt dhe në gjithë ekonominë e vendit. Nga vlerësimi dhe matja e riskut të katastrofave, modelimi i tij, ne do të përpiqemi të tregojmë se cilat janë mënyrat më të mira  për të manaxhuar riskun që lidhet me ngjarjet katastrofike, sa i kushtojnë ekonomisë dhe si mund të implementohen në vendin tonë.

Shqipëria paraqitet me një nivel relativisht të lartë vulnerabiliteti ekonomiko-social ndaj katastrofave. Duke qenë se vendi ynë është mjaft i rrezikuar nga katastrofat natyrore, shoqëria duhet të jetë sa më e mbrojtur, përmes sigurimit të pronës apo bizneseve.

Përcaktimi i nivelit të riskut të katastrofave, roli i aktorëve të ndryshëm dhe përcaktimi i një strategjie kombëtare për manaxhimin e riskut të katastrofave janë emergjencë kombëtare. Sigurimi i pronës ka një impakt ekonomik dhe social ndaj katastrofave natyrore në vendin tonë.

Ngjarjet katastrofike të natyrës godasin shumë vende, rajone dhe popullata, por Shqipëria ëshë mjaft e ekspozuar ndaj tyre, vaçanërisht nga përmbytjet dhe lëkundjet sizmike. Pasojat e tyre janë jashtëzakonisht të mëdha në disa këndvështrime. Ato janë të shoqëruara me humbje në numër të madh jetësh njerëzish, me dëme kolosale të karakterit ekonomik e social, por edhe me prishjen e trendit në zhvillimin ekonomik të vendeve, si dhe këputjen e zinxhirit të ekuilibrave mikro dhe makro-ekonomike. Në vendin tonë kanë ndodhur historikisht ngjarje që kanë tronditur rëndë zhvillimin ekonomik e social. Vitet e fundit shpeshtimi i ngjarjeve me natyrë katastrofike dhe rritja e dëmeve të shkaktuara prej tyre, shihen si një kërcënim i madh për zhvillimin ekonomik, social dhe human në shumë zona të prekura ose që rrezikojnë të preken prej tyre. Ngjarjet katastrofike, janë konsideruar shkak edhe për prishjen e ekuilibrit të institucioneve demokratike apo të vetë sistemit, në disa raste.

Termet 2

Megjithëse kanë karakter rastësor kur ndodhin, të shtrira në periudha kohore afatgjata, këto janë ngjarje që kanë një shkallë relativisht të qëndrueshme të probabilitetit të ndodhjes. Problemi që shtrohet është studimi dhe gjetja mekanizmave të manaxhimit të riskut të katastrofave si dhe të krijohen instrumentat dhe mjetet e nevojshme për përballimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre, kapërcimin e pasojave dhe kthimin ne normalitet. Vlerësimi i riskut të katastrofave, matja e tij dhe teknikat e manaxhimit të këtij risku janë në fokus të studimeve dhe kërkimeve në fushën e manaxhimit të riskut dhe sigurimeve përsa i përket ngjarjeve katastrofike Teoria e financës është e preokupuar lidhur me mundësitë që kanë tregjet e sigurimeve dhe risigurimeve, e më gjerë tregu i kapitaleve dhe në tërësi sistemi financiar, për të vënë nën kontroll dhe për të manaxhuar pasojat e prishjes së ekuilibrave ekonomike dhe sociale.

Për një vend të vogël dhe me ekonomi relativisht të dobët si Shqipëria, mund të shtrohen disa probleme, të cilat kanë nevojë për shtjellim. Problemi i parë që është thelbësor për këtë studim, është: A është e ekspozuar ekonomia dhe shoqëria shqiptare ndaj riskut të katastrofave?

Studimi i Bankës Botërore  e rendit Shqipërinë në 10 vendet më të ekspozuara ekonomikisht nga risku i shumëfishtë i katastrofave natyrore, me gati 90% të PBB të ekspozuar në risk nga katastrofat natyrore.

Me gjithë ekspozimin e tyre serioz ndaj rrezikut të fatkeqësive të shkaktuara nga impakti i rreziqeve natyrore përfshirë tërmetet, përmbytjet, zjarret në pyje, thatësira dhe shkarja e tokës, shpeshtësia dhe shkalla e dëmit të të cilave ka gjasa të rritet si rezultat i ndryshimeve klimatike, menaxhimi i rrezikut ndaj fatkeqësive natyrore është shumë i dobët në Shqipëri dhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në këto vende është realisht inekzistent mbulimi i pronave të pronarëve të shtëpive dhe bizneseve të vogla me siguracion në rast fatkeqësish. Përveç vuajtjeve njerëzore dhe humbjeve në njerëz, katastrofat natyrore kanë një impakt të konsiderueshëm në ecurinë ekonomike të vendeve të prekura.

Impakti i sigurimit të pronës do të sillte përfitime të shumta fiskale dhe përfitime për familjet, bizneset dhe qeverinë.

  • Në rastin e familjeve: Aksesi për një sigurim të përballueshëm në rast fatkeqësish natyrore do të shërbejë si një rrjet i rëndësishëm financiar siguracioni që do të ndihmojë pronarët e shtëpive të mbrojnë kursimet e tyre dhe të evitojnë shkatërrimin financiar.
  • Në rastin e bizneseve: Aksesi për sigurim ndaj fatkeqësive natyrore do të reduktojë impaktin e padëshirueshëm të rreziqeve natyrore në fitimet e tyre duke reduktuar në këtë mënyrë koston e huamarrjes dhe duke çuar në përmirësimin e vlerësimeve të biznesit.
  • Në rastin e qeverisë sigurimi i pronës do të ndihmojë në reduktimin e detyrimeve të mundshme financiare që lindin si rezultat i ekspozimit ndaj rreziqeve natyrore. Do të mundësojë akses ndaj likuiditeteve të menjëhershme pas rasteve të fatkeqësive. Do të ndihmojë të zbusë impaktet e padëshiruara nga rreziqet natyrore në stabilitetin fiskal dhe rritjen ekonomike.
Termet 3
Termet 3

Tregu i sigurimeve në Shqipëri tashmë është mjaft i konsoliduar dhe i ofron pronarëve të shtëpive dhe të bizneseve sigurim për katastrofat natyrore me çmim të përballueshëm.

Pas tërmeteve të vitit 2019 u shkaktuan shumë dëme materiale dhe jetësore. Tregu i sigurimeve ju gjend pranë të gjithë të dëmtuarve duke i vlerësuar dëmet e shkatuara dhe duke i likuiduar në kohë rekord. Familjarët dhe bizneset e siguruara ishte e vetmja shtresë që nuk u “stresua” për kostot financiare të dëmeve të shkaktuara. Vlera monetare e dëmeve të paguara vetëm në atë periudhë kalon shifrën e 40 milionë eurove, gjë që tregon konsolidimin dhe gatishmërinë e likuiditetit të tregut financiar në Shqipëri.

Qëllimi i sigurimit të pronës është të minimizojë kostot e mundshme të katastrofave natyrore dhe me natyrë njerëzore në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

Për fatin e mirë të të gjithë pronarëve apo bizneseve, pajisja me një sigurim prone është ende mjaft e lirë në vendin tonë.

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb