Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj i ftuar në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 ka folur për përgjimet e antimafias italiane që mund të implikojnë edhe zyrtarë të lartë shqiptarë në tentativën e organizatës kriminale ‘Ndrangheta’ për të pastruar para në Shqipëri.

Ahmetaj thotë se përgjimet nuk janë publikuar nga anti-mafia, por janë rrjedhje në terrenin mediatik dhe politika i shfrytëzon për të hedhur baltë.

Ai thekson se qytetarët e filtrojnë mirë informacionin dhe nga ana tjetër SPAK i ka duart e lira për të bërë punën vet.

 PJESË NGA INTERVISTA E ARBEN AHMETAJT

Pyetja: Flasim pak për një tjetër zhvillim që ka qenë kryefjalë edhe për gjatë këtyre ditëve, janë çështja e përgjimeve. Në fakt vjen në një periudhë, kur jemi tre muaj përpara zgjedhjeve, fillimisht si i cilësoni përgjimet e publikuara nga anti-mafia italiane, zoti ministër, si pjesë e kabinetit qeveritar?

Ahmetaj: Janë, e para një herë që institucionet si anti-mafia, është e zonja ti shkojë deri në fund çdo lloj detaji, dhe nuk janë të publikuara nga anti-mafia, janë të rrjedhura le të themi në terrenin mediatik. Këtu shfrytëzohen politikisht hidh baltë andej, hidh baltë këtej, kjo s është gjë e re, po dëgjojmë çudira kështu që kaq.

Pyetja: A ndikojnë këto në procesin zgjedhor, pra, ose më mirë të themi për elektoratin, jemi përpara zgjedhjeve?

Ahmetaj: Qytetarët janë të vëmendshëm, dhe filtrin e kanë më të mirë se kushdo qoftë nga ne, dhe e filtrojnë mirë atë gjënë që është reale, atë gjënë që është bolori politike, që është bolori mediatike, apo që është baltë para zgjedhore apo zgjedhore.

Pyetja: Zoti Ahmetaj, a duhet ti hetojë SPAK personat e përfshirë?

Ahmetaj: Sigurisht, patjetër! SPAK i ka duart e lira të bëjë punën e vetë, në bazë të ligjit, patjetër!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb