TIRANË
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur zyrtarisht hetimet për përgjimet e publikuara pak ditë më parë nga Antimafia Italiane, ku rezultonin të përfshirë edhe eksponentë të lartë në Shqipëri.
SPAK ka zhvilluar sot një takim koordinativ me zyrtarët më të lartë të Antimafias Italiane, prej ku u vendos që “do të hetohet deri në fund çdo element dhe fakt që përbën indicje për veprimtari kriminale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Në njoftimin e tij, SPAK thekson se ndaj eksponentëve të përmendur në përgjimet e ‘Ndragheta-s’ janë ngritur disa akuza të rënda, si “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 25.01.2021, ka regjistruar kryesisht procedimin penal Nr.17/2021, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 259, 333/a, 287 – 28/4 dhe 334 i Kodit Penal.
Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e disa artikujve të publikuara në media të ndryshme, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros në Republikën e Italisë, të cilat hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në Republikën e Shqipërisë,
Në kuadër të sqarimit të rrethanave dhe fakteve që lidhen me objektin e hetimeve të këtij procedimi penal, sot me datë 04.02.2021 në selinë e Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë, u zhvillua një takim koordinativ. Takimi u realizua nën drejtimin e zotit Federico Cafiero de Raho, Drejtues i Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Itali dhe zotit Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme, Shqipëri, me pjesmarrjen dhe të prokurorëve italianë dhe shqiptarë që hetojnë këto dy procedime penale në shtetet respektive.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar garanton publikun se është e vendosur për të hetuar deri në fund çdo element dhe fakt që përbën indicje për veprimtari kriminale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që lidhet me objektin e hetimeve të kryera deri tani nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros.
(BalkanWeb)