Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare Erl Murati, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24, deklaroi se tensioni politik për zgjedhjet e 25 prillit, ende nuk ka nisur.

“Kemi hyrë në situatë të vakët politike. Tensioni ende nuk ka nisur. Palët po bëjnë nxehjen. Kandidatët ende nuk janë të gjithë, por kemi disa persona kryesorë. Ende nuk kemi program elektoral të gjithin, që të jetë dhënë. Qeveria ka 8 vjet në pushtet dhe mund të thotë që do vazhdojmë bashkë, kurse opozita mendoj se është e vonuar. Opozita është më e interesuar që t’ju thotë shqiptarëve që ne kemi këtë ekip për të fituar”, tha Murati.

Duke folur për përgjimet e antimafies italiane, Murati deklaroi se ata duken serioze. Murati shtoi se në përgjime, mafiozët flasin në parim për korrupsionin në Shqipëri, por se ata nuk flasin për një emër të caktuar.

Përgjimet janë serioze. Në përgjime, kemi binomin politikë-mafia, që në Itali është fenomen. Është dosje serioze për Italinë, por është edhe për Shqipërinë. Iu takon institucioneve që të hetojnë, nëse kemi ndërhyrje të mafies italiane në Shqipëri. Mafiozët shprehen se në Shqipëri mund të marrësh tender kollaj, por kjo nuk është diçka e re. Mbetet të shikohet nëse veprimtaria e Ndraghetas është shtrirë në Shqipëri. Mafiozë flasin në parim për korrupsionin në Shqipëri. Ne e dimë se në Shqipëri drejtësia është anemike, por të shohim nëse drejtësia do veprojë”, u shpreh Murati.

Më tej, Erl Murati vlerësoi se palët duket se kanë shkuar në zgjedhje, njëjtë sikur në vitin 2017.

PS di ta bëjë fushatën elektorale më mirë sesa Partia Demokratike. Mesazhi i saj në drejtim të elektoratit është më i qartë se ajo i PD-së, prandaj dhe fitoi më 2017. Shohim se jemi në të njëjtën gjendje si më 2017. Është një shprehje që duhet të jesh budalla që të sillesh njësoj dhe të synosh që të kesh rezultat ndryshe.

Opozita nuk ka veprimtari edhe në terren.  PD nuk ka bërë sa duhet në terren. Unë mendoj se PD ka problem serioz dhe duhet të punojë më shumë. PD po sillet njësoj si dikur dhe mendoj se do marrë të njëjtin rezultat si dikur. Fushata e PD-së është orientuar tek individi, pasi nuk po shohim një ekip të mirë. Prozhektorët duhet të jenë mbi ekipin dhe jo vetëm ndaj Bashës. Oferta e PD-së duhet të jetë më bindëse”, tha Murati.

Po ashtu, Murati theksoi se PD duhet që të bënte më shumë në këto vite në opozitë, për të rritur kuotat e veta.

LSI është një parti e vogël, që gjithmonë është quajtur king maker. LSI nuk mund ta marrë pushtetin e vetme. Lëvizja Socialiste për Integrim mund të marrë rezultat shumë të mirë, por kuotat e ulëta të Partisë Demokratike nuk do bënin mirë për opozitën. Problemin e shoh tek PD-ja, që nuk është rritur”, deklaroi ai.

Duke folur për situatën në Kosovë, Murati tha se Prishtina duket se është disa hapa përpara Shqipërisë, institucionalisht dhe politikisht.

Kosova megjithëse është shtet i ri, institucionet e saj veprojnë shumë më mirë. Kujtojmë se në Shqipëri nuk funksionon mirë Gjykata Kushtetuese. Nga aspekti profesional, Kosova është më lart se ne. Edhe në aspektin politik, Kosova ka promovuar figura të reja. Në Shqipëri është e vështirë që të promovohen figura të reja. Klasa politike në Shqipëri duhet të mësoje nga ajo në Prishtinë”, përmbylli Murati.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb