DURRES- Pas akuzave dhe denoncimeve se emri i tij rezulton në përgjimet e EULEX-it, kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka reaguar zyrtarisht.

Ai mohoi akuzat, ndërsa iu kundërpërgjigj akuzave të PD-së duke shtuar se kjo e fundit është e shqetësuar pasi ka mbetur mjerane me 4 deputetë në Durrës.

“Nuk ja vlen që të merremi pafundësisht me këtë temë. Unë e kam dhënë përgjigjen time, jam shumë i qetë, vazhdoj të punoj në dobi të qytetarëve. Ne punojmë, nuk merremi me llafe. Fjalët janë të tepërta, ne jemi të përqendruar te puna. Padyshim që i hedh poshtë këto akuza. Nuk i marr në konsideratë, janë thjesht thashethemnaja për të baltosur Durrësin sepse kanë mbetur mjeranë me 4 deputetë dhe kjo i shqetëson shumë.”, tha Dako. Deklaratën kryebashkiaku Dako e bëri gjatë aksionit ‘Të pastrojmë Shqipërinë’.

AKUZAT E OPOZITËS
Të hënën, përmes një deklarate për mediat, kreu i opozitës Lulzim Basha denoncoi publikisht ekzistencën e këtyre përgjimeve për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Ndërkohë pas deklaratës së kreut të PD, pasoi edhe ajo e ish-kryeministrit Berisha, i cili theksoi se përgjimet e Dakos kanë ndodhur gjatë fushatës elektorale, duke shtuar se në këto përgjime është i regjistruar edhe vëllai i Kryeministrit.

“Gjushi, i vetmi sherholder me Ramën në narkokabinetin aktual, është i regjistruar në biseda kriminale me banda trafikantësh edhe nga EULEX-i i Kosovës. E vërteta është se nga EULEX-i nuk është i regjistruar vetëm Gjushi, por dhe shumë më rëndë, vetë Rama. Në disa nga këto regjistrime, veçanërisht ato të grupit të Xibrakës, rezultojnë të përfshirë direkt dhe me lidhje shumë imtime Edi dhe Olsi Rama.

Këto regjistrime u janë dhënë, përveç instancave që drejtojnë shërbimin e jashtëm në Bruksel, edhe disa prej shërbimeve të vendeve kryesore”, deklaroi Berisha.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: