Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi në mënyrë unanime të pezullojë nga detyra gjyqtaren Mimoza Margjeka, përderisa është nën hetim nga Prokuroria e Posacme pas dyshimeve për korrupsion në rastin e lirimit nga burgu të një të arrestuari për trafik klandestinësh.

Ndaj Margjekës, Gjykata e Posacme caktoi masën e arrestit në shtëpi dhe për këtë fakt, sipas ligjit SPAK njoftoi qeverinë e gjyqësorit. Komisioni i disiplinës pasi u njoh me dokumentacionin propozoi pezullimin e Margjekës, e cila do të qëndrojë larg zyrës së saj, derisa çështja penale të marrë zgjidhje.

Gjyqtarja akuzohet se kundrejt rryshfetit zbuti masën e sigurisë për të hetuarin Orion Bali nga “arrest me burg” në atë të garancisë pasurore.

SPAK tha se paratë iu dorëzuan bashkëshortit të gjyqtares nga avokati Skënder Demiraj. Ky i fundit e mohoi kategorikisht një fakt të tillë, duke pretenduar se vëllai i të burgosurit, Nejton Bali ka mashtruar nënën e tij dhe paratë i ka humbur në bixhoz.

Rolin e sekserit dyshohet ta ketë luajtur Klaudjo Zhilla, pronari i hotelit ku gjyqtarja qendronte prej ditës që u caktua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor të ushtronte funksionin në gjykatën e Apelit Korcë.

Të shtunën e kaluar, teksa mbërriti në seancë për tu njohur me masën e siguyrisë, gjyqtarja Margjeka aludoi se goditja e saj kishte prapavijë politike, duke e lidhur ketë me një vendim të marrë prej saj, nëpërmjet të cilit konsideronte nul zgjedhjet e 30 qershorit dhe refuzoi t’i jepte mandatin kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe mbrojtësit ligjorë të saj, duke akuzuar SPAK se ka vepruar nën ndikim politik, teksa thanë se vendimi per Margjekën ishte marrë jashtë godinës së gjykatës.

“BalkanWeb” siguroi edhe mbrojtjen e saj para GJKOK, ku përjashtoi ndërhyrjen e bashkëshortit. Ajo sqaroi edhe njohjen me një nga personat që thuhet se i kishin ndërhyrë për lirimin e shtetasit Ortjon Bali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb