TIRANE

Përgjimet e publikuara nga “Zëri i Amerikës” ku zyrtarë socialistë dyshohen si të përfshirë në blerje votash për zgjedhjet e 2016 dhe 2017-ës, ishin kryefjalë e qëndrimit opozitar në Kuvend.
Lulzim Basha tha se ato që tregoi media me qendër në Uashington, vërtetoi akuzat e opozitës. Ai kërkoi prezencën e kryeministrit Edi Rama, i cili në ato momente ishte në zyrën e tij.

“Ai që e ka shndërruar këtë Parlament në një kuplara të krimit nuk denjon as të vijë sot këtu. Nuk e mbajnë këmbët? Nuk e mbajnë nervat? S’ka marrë ilaçet? S’i bëjnë më fajde ilaçet? I ka mbaruar pluhuri? Problem i tij…Ose përmes propozimit të opozitës, përmes një qeverie kalimtare dhe jo një qeverie kukullash enigmatike që janë këtu për të justifikuar largimin e atyre që do të jenë në burg sipas përgjimeve që do të jenë publike, ose ndryshe këtë sallë mund dhe duhet ta pastrojë ai të cilit kjo sallë i takon, populli shqiptar”,- tha Basha.

Akuza kundër qeverisë artikuloi edhe drejtuesja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

“Ka mëse 1 muaj e gjysmë që SHBA me institucionin e tyre zyrtar mediatik Zërin e Amerikës dalin qartë se si votat e një mazhorance të inkriminuar kanë ardhur në parlament me paratë e drogës dhe me paratë e krimit të organizuar”,- u shpreh Kryemadhi.

E ndërkohë që opozita prej dy orësh shqiptonte akuza kundër kryeministrit, ky i fundit mbërriti në sallë rreth mesditës. Për Ramën kronika të tilla të “Zërit të Amerikës” nuk janë surprizë, pasi sipas tij dhe kjo media është shndërruar në zëdhënëse të kazanit të Tiranës, siç e cilëson ai median shqiptare.

“E tha Amerika, fatkeqësisht është e dyta herë në një periudhë kohe të shkurtër që Zëri i Amerikës bëhet zëdhënës i kazanit të Tiranës. E dyta herë në një kohë shumë të shkurtër. Herën e parë ne e demonstruam me qindra faqe të dokumentuara të gjithë gënjeshtërsinë e lajmit të dhënë mbi rekrutimet e punonjësve në sistemin penitenciar…”,u shpreh kryeministri.

Rama deklaroi edhe qëndrimin e tij për gjithçka u transmetua në “Zërin e Amerikës”.

“Këtë herë mund të them vetëm kaq: Asgjë të re nga fronti juaj, një sallatë fjalësh e cila nuk ka asnjë shans të çorodisë asnjë shqiptar të vetëm, zero”.
E teksa kryeministri fliste, për një moment u mendua se Endri Hasa që do ta godiste sërish me vezë, ndërkohë që iu afrua foltores. Por asgjë nuk ndodhi, Hasa doli nga salla, kurse Rama vazhdoi ligjërimin me tone kryeministrore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb