TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i kërkon Qeverisë shqiptare që të mos pengojë më tutje ushtrimin e funksionit kushtetues dhe detyrën ligjore të Prokurorisë së Shtetit për hetimin e ekzistencës dhe përdorimit të një pajisjeje interceptuese nga ana e Ministrisë së Brendshme.

“Qeveria t’i dorëzojë sa më parë autoriteteve të hetimit pajisjen e kërkuar nga organi i Prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin tjetër të nevojshëm për procesin e hetimit. Qeveria të ndalojë përpjekjet për mashtrimin e opinionit publik në lidhje me marrëveshjet e bashkëpunimit me shtetin italian.
Marrëveshja e bashkëpunimit midis shtetit shqiptar dhe atij italian në luftën kundër krimit të organizuar nuk ka asnjë lidhje me veprimet antiligjore dhe të dënueshme të përdorimit të mjeteve ilegale dhe të paligjshme nga Policia shqiptare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidenti i Republikës dënon dhe distancohet nga tentativa e papërgjegjshme e Qeverisë për të ngatërruar bashkëpunimin dhe partneritetin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë në luftën kundër krimit të organizuar, me veprime ilegale dhe të paligjshme të segmenteve të caktuara të Ministrisë së Brendshme në Shqipëri.

Presidenti i Republikës i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të ushtrojë të gjithë autoritetin ligjor për të shmangur çdo pengesë që krijohet në hetimin dhe zbulimin e së vërtetës.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: