Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, njëherësh deputete e Partisë Socialiste e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 komenti çështjen më të nxehtë të aktualitetit, publikimin e 6 përgjimeve të dosjes 339 në “Bild”.

Kodheli shprehet se para ligjit duhet të jenë të gjithë të barabartë, por nuk e dimë nëse me këtë ka lënë të kuptohet që në rastin konkret vetë Vangjush Dako duhet të mbajë përgjegjësi për ato që ka bërë. Deputetja tha se po fliste në përgjithësi.

“Mendoj se ka pasur një interesim të publikut lidhur me këtë gjë. Pak rëndësi ka nëse e ka bërë “Bild” apo dikush tjetër. Mesazhi më i drejt që ndjej të jap është: Para ligjit të gjithë të jenë të barabartë. Prokuroria të largohet nga ndikimi i politikës për të bërë detyrat e veta. Bërja publike e përgjimit është një arsye më shumë për t’i dhënë të drejtë reformës në drejtësi dhe vijimit të saj”,- tha Kodheli.

Ndër të tjera, ajo shtoi se në lidhje me këtë dosje hetimet duhet të shkojnë deri në fund.

“Hetimet duhet të shkojnë deri në fund, të mos merren copëza përgjimi, të mos vihen në kontekstin që dikush do t’i vëjë, por të zbardhen të plota. Komentet me ngjyrime politike gjithsekush mund t’i bëjë. por kjo nuk e ndihmon procesin”.

Ndërsa gazetari Edvin Parruca deklaroi në studio se përgjimi me drejtorin e Ujësjellës-kanalizimeve në Durrës, që thoshte se i kishte bërë gati listat ishte skandaloz, Kodheli tha se muhabete të tilla në Shqipëri janë bërë me kohë, por se ka ardhur momenti që situata të ndryshojë.

“Unë s’dua të bëj puritanin tani dhe të them se nga mua s’do ta dëgjonit një bisedë të tillë, por di t’ju them se nga këto biseda në gjithë këto vite janë bërë vazhdimisht. Vazhdoj ta them, qeveria është përgjegjëse për punët e vendit, është si kreu i familjes. Por politika është përgjegjësi që e ka çuar vendin në fazën ku është sot. Sa për abuzimet që folëm, duhen rregulla të reja. Nëse politika nuk e bën është në turpin e saj, sepse duhet të ishte bërë me kohë”,- vijoi ajo.

E pyetur nëse dëmtohet PS-ja nga përgjimet e publikuara, Kodheli u përgjigj: “Do ta dëmtonte shumë qeverisja e keqe, gjë që nuk është rasti. Në fund të ditës rritja ekonomike duhet të përkthehet në më shumë vende pune për njerëzit, por jo domosdoshmërisht ndodh kështu. Këtu duhet të fokusohemi e punojmë”, shtoi ajo.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb